Ushtria zvicerane planifikon të shtojë deri në 700 vende të reja pune deri në vitin 2035, si pjesë e modernizimit dhe forcimit të kapaciteteve të saj ushtarake.
Sipas mediumit zviceran 20 Minuten dhe raportimeve të SRF-së, ushtria dhe Zyra Federale e Armatimit (Armasuisse) vlerësojnë se, nga viti 2028 deri në vitin 2035, do të nevojiten rreth 660 deri në 700 vende shtesë pune me orar të plotë, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Nevoja për personel të ri lidhet me futjen në përdorim të sistemeve të reja ushtarake, përfshirë dronët, sistemet e mbrojtjes kundërajrore dhe teknologjitë për mbrojtjen kibernetike.
Modernizimi kërkon më shumë specialistë
Përveç blerjes së pajisjeve të reja, ushtria zvicerane ka nevojë për specialistë që do të kujdesen për funksionimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre.
Aktualisht, ushtria dhe Armasuisse punësojnë rreth 10 mijë e 500 persona. Me zgjerimin e planifikuar, numri i punonjësve mund të rritet ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme.
Megjithatë, ministri zviceran i Mbrojtjes, Martin Pfister, kërkon që sa më shumë nga vendet e reja të kompensohen përmes kursimeve dhe riorganizimit brenda departamentit.
Plani parasheh, ndër të tjera, thjeshtimin e strukturave drejtuese të ushtrisë dhe centralizimin e disa sektorëve, si komunikimi, personeli dhe financat.
Kundërshtime për shkurtimet e brendshme
Plani për krijimin e vendeve të reja të punës ka nxitur diskutime brenda ushtrisë, pasi kërkesa për kursime mund të përplaset me nevojën për personel shtesë.
Sipas raportimit të SRF-së, ende nuk është e qartë se si do të realizohen të gjitha kompensimet financiare pa ndikuar në funksionimin e strukturave ekzistuese.
Vlerësimet për numrin e vendeve të reja janë paraprake dhe nevojat përfundimtare mund të ndryshojnë gjatë planifikimit.
Modernizimi i ushtrisë zvicerane është pjesë e strategjisë për forcimin e mbrojtjes, në një kohë kur autoritetet po i kushtojnë më shumë rëndësi kërcënimeve nga dronët, sulmeve në distancë dhe rreziqeve kibernetike./Telegrafi/