Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti ka përfituar një donacion në pajisje mjekësore dhe teknike, në vlerë prej rreth 50 mijë eurosh, nga AQH-ja.
Sipas njoftimit të institucioneve shëndetësore të Vitisë, donacioni përfshin pajisje për shërbimin e urgjencës primare dhe laboratorin, të cilat do të përdoren në QKMF-në në Viti dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Pozheran.
Në kuadër të donacionit është përfshirë edhe një lavatriçe industriale për shërbimin e lavanderisë.
Pajisjet e dhuruara përfshijnë defibrilatorë, aparate EKG, otoskopë, pajisje për nxjerrjen e trupave të huaj, centrifuga laboratorike, aparate për matjen e HbA1c dhe CRP-së, si dhe frigoriferë për laboratorin dhe barnatoren.
Sipas njoftimit, këto pajisje pritet të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe të shërbimit të urgjencës, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Vitisë.
Përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore kanë falënderuar AQH-në për donacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e kujdesit shëndetësor parësor. /Telegrafi/