Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka deklaruar se rritja e tarifës së mbeturinave nga 6 euro në 10 euro për ekonomitë familjare është bërë me qëllim të përmirësimit të kushteve të punëtorëve të pastrimit dhe rritjes së pagave të tyre.
Duke folur për këtë çështje, Idrizi tha për Telegrafin se punëtorët e pastrimit kryejnë një nga punët më të vështira dhe më të rëndësishme për qytetin, ndërsa sipas tij, kjo kategori e punëtorëve ka qenë e neglizhuar sa i përket kushteve dhe pagave.
“Qëllimi i rritjes së taksës së mbeturinave është përmirësimi i kushteve të punëtorëve të pastrimit. Këta punëtorë janë lënë pas dore, i kryejnë punët më të vështira dhe janë ndër më të merituarit në shoqëri”, ka deklaruar Idrizi.
Ai ka thënë se synimi është që pagat e punëtorëve të pastrimit të jenë më dinjitoze, duke theksuar se rritja e tarifës është e lidhur edhe me nevojën për të siguruar numër të mjaftueshëm të punëtorëve.
Sipas Idrizit, rritja e kostove të naftës dhe shërbimeve të tjera e ka bërë më të vështirë funksionimin e kompanive dhe sigurimin e fuqisë punëtore.
Ai ka përmendur edhe mundësinë që pagat e punëtorëve të pastrimit të arrijnë në 800 deri në 900 euro, duke argumentuar se puna e tyre shoqërohet me rreziqe të ndryshme, përfshirë ekspozimin ndaj mbeturinave dhe rrezikun e infeksioneve.
Idrizi ka bërë krahasime edhe me shpenzimet e tjera mujore të qytetarëve, duke thënë se tarifa e mbeturinave, e shpërndarë në ditë, përbën një kosto relativisht të vogël në raport me shpenzime si telefonia, interneti apo produktet e tjera të konsumit.
“Le të shkojë paga e tyre deri në 800 apo 900 euro, ta dimë që me të vërtetë po kujdesemi për këtë kategori”, ka thënë ai.
Kryetari i Vushtrrisë ka kundërshtuar gjithashtu kritikat e disa anëtarëve të Kuvendit Komunal lidhur me rritjen e tarifës. Ai ka thënë se është i gatshëm ta bartë vetë koston politike të vendimit, nëse konsideron se ai është në interes të punëtorëve dhe shërbimeve publike.
“Unë nuk kam kërkuar të rritet paga ime, kam kërkuar të rritet paga e punëtorëve që punojnë dhe e kanë mbajtur qytetin pastër”, ka deklaruar Idrizi.
Ai ka përmendur punën e punëtorëve të pastrimit gjatë gjithë vitit, përfshirë mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave publike, si dhe kujdesin për gjelbërimin dhe lulet në qytet.
Qytetari Vedat Krasniqi ka thënë për Telegrafin se rritja e tarifës nga 6 në 10 euro për familjet është e papërballueshme, sidomos në rrethanat aktuale kur janë rritur edhe shpenzimet e tjera mujore.
“Edhe 6 euro kanë qenë një shpenzim që e kemi paguar çdo muaj, ndërsa tash me 10 euro është edhe më e rëndë për familjet. Janë rritur çmimet e rrymës, naftës dhe pothuajse të gjitha produkteve të konsumit të përditshëm. Nuk mund të arsyetohet çdo rritje duke thënë se duhet të paguhen më mirë punëtorët. Natyrisht që ata duhet të kenë paga më të mira, por duhet të shohim edhe gjendjen e qytetarëve dhe mundësinë e tyre për t’i përballuar këto shpenzime”, ka deklaruar ai.
Vushtrriasi Agron Bunjaku ka shprehur pakënaqësi edhe me cilësinë e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave, duke thënë se rritja e tarifës nuk po shoqërohet me një shërbim më të rregullt.
“Para se të rritet tarifa, duhet të përmirësohet edhe shërbimi. Në lagjet tona nuk është se mbeturinat mblidhen gjithmonë në mënyrë të rregullt. Ka raste kur kazanët mbushen dhe mbeturinat qëndrojnë aty. Nëse kërkohet që qytetari të paguajë 10 euro, atëherë duhet të ketë edhe mirëmbajtje të rregullt dhe shërbim cilësor. Nuk mund të paguajmë më shumë dhe të kemi të njëjtin shërbim”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, asamblisti i PDK-së në Vushtrri, Behar Duraku, deklaron për Telegrafin se rritja e tarifës lidhet me rritjen e pagave të punëtorëve të pastrimit.
“Lidhur me tarifën e ngritjes së mbeturinave, ajo është bërë me qëllim edhe të ngritjes së pagave të punëtorëve, të cilat i kanë të ulëta. Kjo është e gjitha çfarë mund të them”, ka deklaruar Duraku.
Idrizi ka theksuar se familjet në gjendje të rëndë sociale lirohen nga pagesa, duke argumentuar se kjo e zbut ndikimin e rritjes së tarifës te kategoritë më të cenueshme.
Vendimi për tarifën e mbeturinave ka nxitur debat në Vushtrri, ndërsa çështja e rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve të punëtorëve të pastrimit mbetet argumenti kryesor i përmendur nga drejtuesit komunalë në mbështetje të këtij vendimi. /Telegrafi/