Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” ka uruar akademiken Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen e saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në një telegram urimi, kryetari i VATRËS, Dr. Elmi Berisha, në emër të Federatës, gazetës “Dielli” dhe familjes së tij, i ka përcjellë Shiroka-Pulës urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes së saj në krye të shtetit.
“Zgjedhja e një personaliteti të shquar të botës akademike në krye të shtetit përbën një moment me rëndësi të veçantë për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë”, thuhet në telegramin e VATRËS, transmeton Telegrafi.
VATRA ka vlerësuar formimin akademik dhe përvojën e gjatë universitare e publike të presidentes së re, duke theksuar, siç thuhet në telegram, edhe vlerat e dinjitetit, integritetit, përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në telegramin e urimit thuhet se zgjedhja e Shiroka-Pulës është dëshmi e rëndësisë që Kosova u kushton institucioneve të saj, kulturës demokratike dhe përgjegjësisë shtetërore.
VATRA ka shprehur bindjen se përvoja dhe autoriteti akademik i presidentes së re do t’i shërbejnë forcimit të kulturës institucionale, dialogut, unitetit qytetar dhe përfaqësimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës ka vlerësuar gjithashtu deputetët e Kuvendit të Kosovës që morën pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentes, si dhe gatishmërinë për të arritur kompromis institucional në funksion të Republikës së Kosovës dhe interesit të qytetarëve.
Në telegram, VATRA e ka cilësuar Shiroka-Pulën si “mike të veçantë” të Federatës dhe ka shprehur gatishmërinë për të ofruar kapacitetet dhe mundësitë e saj institucionale në mbështetje të Institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës.
“Ju urojmë shëndet, urtësi, mbarësi dhe suksese në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në fund të telegramit të urimit të nënshkruar nga kryetari i VATRËS, Dr. Elmi Berisha.
VATRA e ka përmbyllur urimin me mesazhin: “Urime, Presidente e Republikës së Kosovës! Urime Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj!”.