Deputetët e partive politike kanë nisur të hyjnë në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të zhvillohet një seancë me dy pika të rëndësishme.
Kjo vjen pasi kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se PDK-ja e pranon propozimin e kryeministrit Albin Kurti që Justina Shiroka-Pula të jetë kandidate për presidente të Kosovës.
Në kuadër të marrëveshjes, PDK-ja ka propozuar Eliza Hoxhën si kundërkandidate për postin e presidentes, duke bërë të ditur se këta janë dy emrat e pranueshëm për partinë.
Sipas rendit të dakorduar, në pikën e parë të seancës pritet të jetë votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Pas votimit të këtij projektligji, Kuvendi pritet të kalojë në pikën e dytë, atë të zgjedhjes së presidentes së Republikës së Kosovës.