Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë projektligjesh, programesh dhe vendimesh.
Ndër vendimet kryesore është miratimi i Programit të Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026–2028, si dhe i Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë.
Ky projektligj përcakton mënyrën e organizimit dhe zbatimit të Regjistrimit të Bujqësisë, përfshirë procedurat për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera, në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.
Po ashtu, është miratuar vendimi për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut.
Në mbledhje është miratuar edhe Koncept-dokumenti për Fushën e Akreditimit, i cili synon zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë dhe përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit.
Qeveria ka miratuar edhe rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit për projekte të bashkëfinancimit me kuvendet komunale, në përputhje me memorandumet e mirëkuptimit për projektet kapitale.
Ndër vendimet e tjera është miratimi i Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë 2026–2027, si dhe Programit Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Efiçiencë të Energjisë, i cili përcakton kornizën ligjore për promovimin dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë, përfshirë objektivat, masat dhe caqet kombëtare.
Sipas Qeverisë, ky ligj synon të kontribuojë në kursimin e energjisë, sigurinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit dhe luftimin e varfërisë energjetike.
Në fund, Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për konfirmimin e interesit të përgjithshëm publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatëse nga ndërmarrja publike “Trepça” Sh.A.