Albumi i ri i Miley Cyrus, “Bass Persuades”, debutoi javën e kaluar në vendin e parë të listës Billboard 200, por festa nuk zgjati shumë. Vetëm në javën e dytë, albumi ka rënë në vendin e 157-të, duke shënuar rënien më të madhe nga pozita e parë në historinë e kësaj liste për një artiste femër.
Kështu, Cyrus ka thyer rekordin që prej vitit 2019 e mbante Celine Dion. Albumi i saj “Courage”, pasi kishte arritur në vendin e parë, kishte rënë në pozitën e 111-të në javën pasuese. Para Dion, këtë rekord e mbante Madonna, albumi i së cilës “Madame X” kishte zbritur nga vendi i parë në të 77-in.
“Bass Persuades” është albumi i parë që Cyrus ka publikuar për Atlantic Records, pasi në fillim të këtij viti u largua nga Columbia Records. Parashikimet e para sugjeronin se albumi mund të mos hynte as në pesëshen e albumeve më të shitura, ndaj Atlantic Records nisi një fushatë të fuqishme shitjesh për t’i rritur mundësitë për të kryesuar listën.
– YouTube youtu.be
Çmimi i albumit në versionin digjital u ul, ndërsa fansave iu ofrua një numër i madh versionesh të ndryshme. Albumi u publikua në 16 versione të ndryshme në vinil, nëntë versione CD, gjashtë versione digjitale si dhe në kasetë.
Strategjia rezultoi e suksesshme. Shitjet tejkaluan parashikimet fillestare dhe Cyrus arriti ta mposhtë rivalen më të afërt, këngëtaren e country-t Ella Langley, dhe albumin e saj “Dandelion”, me vetëm rreth 70 kopje më shumë.
Cyrus dhe Atlantic Records festuan arritjen e vendit të parë, ndërsa kompania diskografike i dërgoi këngëtares në shtëpi një aranzhim me lule në formën e numrit një.
“Vendi i parë i albumit ‘Bass Persuades’ është më shumë se një fitore”, kishte shkruar Cyrus në Instagram. “Procesi i krijimit ishte një nga periudhat më të bukura. Të gjithë ata që morën pjesë e bënë të mundur këtë dhe, çfarë është edhe më e rëndësishme, e bënë gjithë përvojën argëtuese dhe të paharrueshme. Faleminderit Atlantic, ekipit tim dhe të gjithëve që besuan tek unë dhe ishin pranë meje. Ju dua. Fansave – ju jeni bota ime. Të krijoj muzikë për ju më bën jashtëzakonisht të lumtur. Përgjithmonë”.
– YouTube youtu.be
Ndërsa “Bass Persuades” ka rënë deri në vendin e 157-të, yje të tjera të mëdha të muzikës vazhdojnë të qëndrojnë në krye të listës Billboard këtë javë.
Taylor Swift është rikthyer në vendin e parë me albumin “Life of a Showgirl”, e ndihmuar edhe nga publikimi i versionit deluxe “Encore”. Olivia Rodrigo renditet e dyta me albumin “You Seem Pretty Sad For a Girl So In Love”, i cili ka katër muaj në listën Billboard.
“Dandelion” i Ella Langley, albumi që Cyrus e kishte mposhtur javën e kaluar me vetëm rreth 70 kopje, ka rënë vetëm një pozitë dhe tani renditet i treti. Albumi ka gati gjashtë muaj në listë.
Vitet e fundit, Cyrus nuk ka arritur të përsërisë rezultatet komerciale që kishte në kulmin e karrierës së saj. As albumi i saj i mëparshëm, “Something Beautiful”, i publikuar vitin e kaluar, nuk pati sukses të madh komercial.
Një nga sukseset e saj më të mëdha të viteve të fundit mbetet hiti “Flowers”, i publikuar në vitin 2023. Kënga, e cila konsiderohet më e suksesshmja e karrierës së saj, i solli Cyrus çmimin Grammy për Regjistrimin e Vitit në vitin 2024.
– YouTube youtu.be
Albumin e ri, Cyrus do ta promovojë me dy koncerte të shitura tërësisht në Hollywood Bowl gjatë këtij muaji. Këngëtarja i ka shmangur turnetë e mëdha që nga “Bangerz Tour” në vitin 2014, por ka lënë të kuptohet se do t’i përshtateshin më shumë performancat në një vend të vetëm, në formën e një rezidence koncertore.
Interesimi për dy koncertet në Hollywood Bowl ishte jashtëzakonisht i madh. Sipas raportimeve, në listën e pritjes u regjistruan rreth 1.5 milion fansa, ndërsa për dy koncertet ishin në dispozicion gjithsej 18 mijë bileta.
Në një intervistë me Zane Lowe, Cyrus shpjegoi edhe arsyen pse zgjodhi pikërisht Hollywood Bowl.
“E zgjodha Bowl sepse e dija që deri në orën 23:00 do të më duheshin vetëm rreth dhjetë minuta për të shkuar në shtëpi”, tha ajo.
“Lista e pritjes më tregoi se kisha të drejtë dhe se njerëzit do të vinin tek unë. Nuk kam nevojë të udhëtoj unë drejt jush. Kjo u dëshmua. Ishte një test. Dhe unë fitova”, u shpreh Cyrus. /Telegrafi/