Nëse doni të jepni përshtypjen e një personi inteligjent, mund të mos keni nevojë të jeni personi më i zhurmshëm në turmë.
Psikologu dhe eksperti i sjelljes Dr. Ali Fenwick veçoi tre strategji që mund të zbulojnë inteligjencën, por edhe t’ju bëjnë të dukeni më të zgjuar për të tjerët, shkruan Your Tango.
Ata dëgjojnë më shumë se sa flasin
Shumë njerëzve u pëlqen të flasin. Të folurit është një mënyrë për t’u lidhur me të tjerët dhe për të ndërtuar marrëdhënie, por problemi lind kur të folurit është qëllimi ynë i vetëm.
Kur dëgjojmë më shumë sesa flasim, kemi mundësinë të mësojmë shumë më tepër. Çdo person ka përvoja, aftësi dhe njohuri të ndryshme nga të cilat mund të mësojmë diçka.
Njerëzit inteligjentë janë të gatshëm të mësojnë nga të tjerët dhe dëgjimi i kujdesshëm mund t’u sjellë atyre respekt më të madh nga bashkëbiseduesi. Kur më në fund vendosin të thonë diçka, fjalët e tyre mund të kenë edhe më shumë ndikim për shkak të kësaj.
Ata i kushtojnë vëmendje komunikimit joverbal
Kur flasim me dikë, nuk ka rëndësi vetëm ajo që themi, por edhe mënyra se si e themi.
Prandaj, Fenwick këshillon t’i kushtohet vëmendje “artit të komunikimit joverbal”.
Vështrimi, shprehja e fytyrës dhe sinjale të tjera të vogla mund të thonë shumë. Për shembull, nëse i tregoni dikujt lajme të këqija me një buzëqeshje, personi tjetër mund të arrijë në përfundimin se nuk jeni seriozë.
Aftësia për të njohur sinjale të tilla tek të tjerët, por edhe për të kontrolluar atë që dërgojmë përmes gjuhës së trupit, mund të jetë një pjesë e rëndësishme e komunikimit të suksesshëm.
Ata bëjnë sikur nuk i dinë të gjitha
Strategjia e tretë është ndoshta më e pazakonta. Fenwick këshillon që ndonjëherë të “luash budallallëkun”.
Në shikim të parë, kjo tingëllon krejt e kundërta e asaj që do të prisnit nga një person inteligjent. Megjithatë, mund të mësoni shumë gjëra pikërisht kështu.
Nëse të gjithë në dhomë e dinë se je më i zgjuari, njerëzit mund të bëhen më të kujdesshëm kur flasin me ty. Ata mund të ndiejnë se po i gjykon ose se injoranca e tyre do të vihet re menjëherë.
Megjithatë, nëse nuk përpiqesh të tregosh vazhdimisht sa shumë di, mund të dukesh më i afrueshëm. Njerëzit do të jenë më të relaksuar dhe të gatshëm të flasin me ty, dhe mund të zbulosh shumë më tepër sesa prisje.
Me fjalë të tjera, inteligjenca nuk ka të bëjë gjithmonë me të treguarit se sa shumë dini. Ndonjëherë është krejt e kundërta: të dëgjosh, të vëzhgosh dhe t’i lejosh të tjerët të mendojnë se nuk i di të gjitha mund të të ndihmojë të mësosh shumë më tepër.