Policia e Shtetit ka bërë të ditur se janë finalizuar tri operacione për zbardhjen e vjedhjeve, ku si rrjedhojë janë arrestuar tre shtetas që dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh (disa, me dhunë), në Rinas dhe në Tiranë.
Policia njofton se po ashtu janë sekuestruar 10 mjete të dyshuara të vjedhura.
Më poshtë lexoni tri rastet e vjedhjeve në Tiranë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 finalizuan operacionin e koduar “Navigator”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit F. K., 51 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, pasi dyshohet se janë autorë të vjedhjes së disa motoçikletave, biçikletave dhe monopatinave, në zona të ndryshme në kryeqytet. Me cilësinë e provës materiale, këtyre shtetasve iu sekuestruan 6 biçikleta, 2 monopatina dhe 1 motoçikletë, të dyshuara të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “October”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 26 vjeç, pasi dyshohet se i ka vjedhur me dhunë varësen nga qafa, një shtetaseje, në rrugën “Konferenca e Pezës”. Nga veprimet hetimore dyshohet se i arrestuari ka kryer vjedhje me dhunë, në të njëjtën zonë, edhe më datë 02.10.2026.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Kilometrazhi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi Y. A., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet në Rinas, i cili u lokalizua në Durrës, dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht, veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve në fushën e vjedhjeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/