Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit gjatë protestave në Prishtinë, duke shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Në një komunikatë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, Sindikata ka theksuar se e drejta për protestë, shprehje të lirë dhe tubim paqësor është e drejtë themelore dhe duhet të respektohet e të garantohet.
Megjithatë, sipas saj, kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj zyrtarëve policorë, institucioneve apo qytetarëve të tjerë.
“SPK dënon fuqishëm çdo akt dhune, hedhjen e mjeteve piroteknike, mjeteve të forta dhe çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë që janë në kryerje të detyrës zyrtare. Policët e Kosovës nuk janë palë në asnjë debat politik. Ata janë profesionistë të uniformuar, të cilët në këto rrethana kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë sigurinë e të gjithëve”, thuhet në komunikatë.
Sindikata ka shprehur mbështetje për policët e angazhuar në terren, duke thënë se ata po kryejnë detyrën e tyre edhe në situata të tensionuara, raporton Telegrafi.
“Ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për të gjithë zyrtarët policorë të angazhuar në terren, të cilët edhe në situata të tensionuara janë duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të rendit kushtetues, institucioneve, qytetarëve dhe vetë pjesëmarrësve në protesta”, thuhet më tej.
SPK ka bërë thirrje që dallimet politike dhe qëndrimet individuale të mos shndërrohen në përplasje me policët që kanë për detyrë ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja. Shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë tuaj dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Sindikata.
Sipas SPK-së, çdo polic i lënduar gjatë kryerjes së detyrës është një anëtar i një familjeje që pret të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi pas përfundimit të ndërrimit.
Në fund, Sindikata ka deklaruar se do të vazhdojë të qëndrojë pranë zyrtarëve policorë dhe të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e tyre profesional.
“Çdo veprim ndaj tyre” – sipas Sindikatës – duhet të vlerësohet mbi bazën e ligjit dhe jo mbi baza politike. /Telegrafi/