Papunësia në Zvicër ka shënuar një rënie të lehtë në shtator, ndërsa numri i personave të regjistruar si të papunë në qendrat rajonale të punësimit (RAV) është ulur krahasuar me muajin paraprak.
Në fund të shtatorit, në RAV ishin të regjistruar 140,480 persona si të papunë. Kjo është 1,064 persona më pak se në fund të gushtit, që përbën një rënie prej 0.8 për qind, njoftoi të martën Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO).
Megjithatë, shkalla e papunësisë mbeti e pandryshuar në 3 për qind. Edhe shkalla e papunësisë e rregulluar sezonalisht mbeti në të njëjtin nivel, prej 3.1 për qind, shkruan Watson.
Rritet numri i personave që kërkojnë punë
Ndërkohë, numri i personave të regjistruar në RAV si punëkërkues u rrit lehtë gjatë shtatorit.
Në total, 227,592 persona ishin të regjistruar si punëkërkues, që paraqet një rritje prej 0.2 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Shkalla e punëkërkuesve mbeti e pandryshuar në 4.8 për qind.
Në të njëjtën kohë, numri i vendeve të lira të punës të shpallura në RAV u rrit në 44,199, ose 1.1 për qind më shumë se në gusht, transmeton Telegrafi.
Mbi dy të tretat e këtyre vendeve të lira të punës mbetën subjekt i kërkesës së detyrueshme për shpalljen e vendeve të lira, e cila zbatohet për profesionet me një shkallë papunësie prej 5 për qind ose më shumë.
Puna me kohë të shkurtër shënon rënie të lehtë
Një rënie e lehtë u regjistrua edhe te puna me kohë të shkurtër. Të dhënat për këtë kategori raportohen nga SECO me vonesë.
Në qershor, 8,339 persona u prekën nga puna me kohë të shkurtër, 84 persona ose 1.0 për qind më pak krahasuar me majin.
Megjithatë, numri i departamenteve të kompanive që aplikuan punë me kohë të shkurtër u rrit me 35, duke arritur në 638./Telegrafi/