Forcat e qeverisë së Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite, kanë deklaruar se kanë vendosur nën kontroll zonën strategjike të ngushticës Bab al-Mandab, në kuadër të ofensivës së gjerë kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.
Operacioni, i pagëzuar “Agimi i Jemenit”, synon të rimarrë territoret dhe institucionet shtetërore të kontrolluara nga Houthit, përfshirë kryeqytetin Sana, transmeton Telegrafi.
Ushtria jemenase tha se forcat e Brigadave Giants dhe Nation’s Shield morën kontrollin e zonës së Bab al-Mandabit dhe aeroportit ushtarak të Dhubabit, ndërsa ndërprenë rrugën që lidh Dhubabin me qytetin e Mokhas. Sipas ushtrisë, qindra luftëtarë Houthi janë rrethuar në zonë.
Forcat qeveritare kanë pretenduar gjithashtu se kanë rimarrë Mokhan, një qytet portual strategjik në Detin e Kuq. Megjithatë, burime qeveritare dhe ushtarake të cituara nga agjencitë ndërkombëtare kanë dhënë versione të ndryshme, duke thënë se forcat mund të kenë arritur vetëm në periferi të qytetit.
Ofensiva tokësore po mbështetet nga një fushatë intensive ajrore saudite. Koalicioni i udhëhequr nga Riadi tha se rreth 100 avionë luftarakë po ofrojnë mbështetje ajrore dhe se janë goditur 324 objektiva të cilësuara si me vlerë të lartë.
Në anën tjetër, Houthit kanë pretenduar se kanë sulmuar objektiva në Arabinë Saudite, përfshirë aeroportin ndërkombëtar të Riadit dhe objekte të kompanisë së naftës Saudi Aramco. Pretendimet për dëmet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Përshkallëzimi ka shkaktuar edhe shqetësim për sigurinë ajrore dhe detare në rajon. Houthit kanë paralajmëruar se hapësira ajrore saudite, me përjashtim të zonave mbi qytetet e shenjta Mekë dhe Medinë, nuk është më e sigurt për aviacionin civil.
Ndërkohë, Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani zhvilluan një takim urgjent në Riad, ku u diskutua aktivizimi i mekanizmave të mbrojtjes së përbashkët dhe dërgimi i forcave ushtarake në Arabinë Saudite.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka dënuar sulmet ndërkufitare të Houthive ndaj Arabisë Saudite dhe ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e luftimeve.
Bab al-Mandab është një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë, pasi lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe Detin Arabik dhe është një rrugë kryesore për transportin ndërkombëtar dhe energjinë.
Konflikti në Jemen ka nisur në vitin 2014, kur Houthit morën kontrollin e Sanasë. Arabia Saudite ndërhyri ushtarakisht në vitin 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Pas një periudhe relativisht të gjatë qetësie, luftimet janë përshkallëzuar sërish. Në shtator, Houthit ndërmorën një ofensivë të shpejtë në bregdetin jugperëndimor të Jemenit dhe morën nën kontroll zona pranë Bab al-Mandabit, përfshirë Mokhan dhe ishullin Perim.
Tashmë, forcat qeveritare, me mbështetjen e Arabisë Saudite, synojnë të rikthejnë kontrollin mbi këtë korridor strategjik dhe të avancojnë drejt Sanasë. Ndërkohë, pretendimet e palëve për përparimet në terren vazhdojnë të jenë kontradiktore. /Telegrafi/