Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 1,656 gjoba ndaj shoferëve për tejkalim të shpejtësisë gjatë muajit shtator 2026.
Sipas njoftimit të Policisë, gjobat janë shqiptuar ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara.
Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, me moton “Mos e mat jetën me kilometra në orë”.
Policia ka apeluar te shoferët që t’i respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe ta përshtatin mënyrën e ngasjes me kushtet e rrugës.
“Shpejtësia e papërshtatshme rrezikon drejtpërdrejt jetën e shoferit dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.
Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë shkeljet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Policia ka bërë të ditur se të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/