Komuna e Fushë Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgjegjësi për parandalimin e zjarreve.
Përmes një njoftimi, komuna ka bërë të ditur se ekipet e zjarrfikësve janë në terren dhe po punojnë për përballimin e zjarreve dhe mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura apo pranë zonave të banuara, si dhe të mos hedhin mbetje të ndezshme në ambiente të hapura.
Gjithashtu, qytetarëve u është kërkuar të tregojnë kujdes gjatë përdorimit të zjarrit dhe që çdo rast zjarri ta raportojnë menjëherë te institucionet përgjegjëse.
“Parandalimi i zjarreve është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Komunës së Fushë-Kosovës.
Komuna ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe kujdes të shtuar, me qëllim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit. /Telegrafi/