Hajdin Limoni, shqiptari nga komuna e Gjilanit që u bë hero në Wohlen të Zvicrës pasi shpëtoi katër të rinj nga një veturë që po digjej pas një aksidenti, ka rrëfyer ekskluzivisht për Telegrafin momentin kur vendosi të ndalonte dhe të ndërhynte.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Limoni tregoi se fillimisht mendoi se personat që ndodheshin pranë vendit të aksidentit po prisnin zjarrfikësit.
“Unë jam ndal, tash thashë ndoshta janë tu i prit zjarrfikësit. Kur jam ndalë edhe po e pyes, tash çka është në pyetje këtu, çfarë ka ndodhë? Tha është një ndeshje. Tha edhe… ndeshje, po në rregull. A ka njerëz brenda? Tha: Po, ka”, rrëfeu Limoni.
Ai tregoi se, pasi kuptoi se brenda veturës kishte njerëz, u bëri thirrje personave që ndodheshin aty që të vepronin.
“Edhe ju kam bërtitë gjermanisht: Çka jeni tu i pritë, çka jeni tu bë kështu? Ose sa budallë jeni ju këtu që s’ndihmoni?”, rrëfeu ai.
Më pas, Limoni vendosi të afrohej vetë te vetura, pavarësisht flakëve.
“Edhe ju kam thënë: Një minutë… Edhe kam shku te vetura, edhe i kam çelë dyert, se flaka ishte aq e madhe, se ata ishin frikuar prej flakës. S’kanë guxu me u afru, ishin dorëzu faktikisht. Vetëm se i pashë këtë, mbrapa e kam çelë derën dhe kam nxjerrë njërin pas tjetrit”, tregoi Limoni.
Ai tha se pasi i nxori nga vetura, u bëri thirrje të largoheshin nga flakët.
“Edhe i kam qitë jashtë e i kam thënë: ‘Hiqni prej flakës, hiqni prej flakës!’. Tani kanë kapë ata e i kanë tërheq më andej”, rrëfeu ai.
Sipas Limonit, vetëm pas ndërhyrjes së tij, personat e tjerë të pranishëm filluan të ndihmonin.
“Pra, pastaj filluan me të ndihmu ata?” – u pyet ai.
“Po, pastaj filluan. Në fillim, jo”, u përgjigj Limoni./Telegrafi/