Kuvendi i Kosovës e ka rizgjedhur të hënën, më 5 tetor, Vlora Spancën në pozitën e Auditore së Përgjithshme të Republikës së Kosovës.
Spanca është rizgjedhur me shumicë votash për një mandat të ri pesëvjeçar, pas propozimit të ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe rekomandimit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Spanca e ka ushtruar këtë pozitë gjatë pesë viteve të fundit, nga viti 2021 deri më 2026, duke udhëhequr edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.
Sipas ZKA-së, gjatë mandatit të saj të parë, Spanca ka drejtuar institucionin në përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor, ndërsa theksi është vendosur në avancimin e auditimit publik dhe forcimin e proceseve që lidhen me menaxhimin e parasë publike.
Pas rizgjedhjes, Spanca ka falënderuar deputetët për besimin e dhënë dhe ka shprehur përkushtimin për të vazhduar drejtimin e ZKA-së.
Ajo ka thënë se në mandatin e ri institucioni do të vazhdojë punën për forcimin e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin e parasë publike, duke e cilësuar këtë si pjesë të angazhimit në interes të qytetarëve. /Telegrafi/