Një avari teknike në Stacionin e Pompave në Jarina ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në disa zona të Klinës.
KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se avaria ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:10, me ç’rast është dashur të ndërpritet përkohësisht puna e të gjitha pompave në këtë stacion.
Sipas kompanisë, ekipet e mirëmbajtjes kanë nisur menjëherë punën për sanimin e defektit, përkatësisht riparimin e gypit të dëmtuar me diametër DN 200 milimetra, i cili furnizon me ujë bazenin e Pogragjës.
Gjatë orëve të mëngjesit është aktivizuar pompa që furnizon një pjesë të qytetit të Klinës, si dhe pompat që furnizojnë fshatrat Dollc dhe Dresnik.
Ndërkohë, ekipet e terrenit po vazhdojnë punën për sanimin e plotë të defektit dhe rikthimin e furnizimit të rregullt me ujë.
KRU “Hidrodrini” ka bërë të ditur se gjendja me furnizim pritet të normalizohet brenda ditës. /Telegrafi/