Policia Rajonale e Ferizajt ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e personave të dyshuar për një rast vjedhjeje.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti dyshohet se ka ndodhur më 19 gusht 2026, në rrugën “Rexhep Bislimi”, në një qendër tregtare në Ferizaj.
Në kuadër të veprimeve hetimore për zbardhjen e rastit, Policia ka publikuar fotografinë e personave të dyshuar, me autorizim të Prokurorit të Shtetit.
Policia ka ftuar qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin apo lokalizimin e tyre, ta njoftojnë Policinë e Kosovës.
Informacionet mund të dërgohen përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.
“Bashkëpunimi juaj është shumë i rëndësishëm për zbardhjen e rastit dhe garantimin e sigurisë publike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/