Dy persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë pasi një person hapi zjarr ndaj një grupi gjuetarësh në juglindje të Norvegjisë, në zonën e Haldenit, pranë kufirit me Suedinë.
Policia njoftoi se i dyshuari u kap në vendngjarje dhe fillimisht bëri të ditur se ai nuk ishte pjesë e grupit të gjuetarëve. I plagosuri u transportua me helikopter drejt spitalit për trajtim mjekësor.
Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, në një zonë të pyllëzuar pranë Haldenit, rreth 96 kilometra në juglindje të Oslos dhe pranë kufirit norvegjezo-suedez, transmeton Telegrafi.
Sipas autoriteteve norvegjeze, në zonë ndodheshin të paktën dhjetë persona kur u dëgjuan të shtënat. Viktimat ishin pjesë e grupit të gjuetarëve, ndërsa i dyshuari u ndalua fillimisht nga persona që ndodheshin në vendngjarje dhe më pas iu dorëzua policisë.
Policia dërgoi një numër të madh forcash në zonë, përfshirë helikopterë, ekipe speciale, automjete të blinduara, dronë dhe njësi me qen, ndërsa u kryen kontrolle të gjera në terren për t’u siguruar se nuk kishte persona të tjerë të plagosur apo autorë të tjerë të përfshirë.
Fillimisht motivi dhe marrëdhënia mes të dyshuarit dhe viktimave ishin të paqarta. Megjithatë, raportimet e mëvonshme nga mediat norvegjeze, duke cituar policinë, bëjnë të ditur se autoritetet po hetojnë mundësinë që të ketë pasur një konflikt mes të dyshuarit dhe grupit.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa autoritetet lokale kanë aktivizuar edhe një ekip krize për të mbështetur familjarët dhe dëshmitarët e incidentit.
Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi motivin e sulmit, ndërsa hetimi vazhdon. /Telegrafi/