Bazuar në 89,45 për qind të votave të numëruara për Parlamentin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, SDA-ja siguroi numrin më të madh të votave, duke fituar mbi 30 për qind, ndërsa SDP-ja fitoi 15,27 për qind dhe HDZ-ja 13,89 për qind.
Të dhënat aktuale e tregojnë SDA-në si udhëheqëse të qartë me 212.506 vota, që përfaqësojnë 30,63% të mbështetjes totale të votuesve, transmeton Telegrafi.
Në vendin e dytë ndodhet Partia Socialdemokrate e BeH-së (SDP), e cila mori besimin e 105.959 votuesve, ose 15,27%.
Pozicionin e tretë e mban koalicioni i mbledhur rreth HDZ BeH-së (HDZ BiH, HSS SR, HSP BeH, HKDU, HSP AS, HDU, HSP HB, HRAST), i cili regjistroi 96.380 vota, ose 13,89%.
Edhe Partia për Bosnjë-Hercegovinën (SBeH) arriti një rezultat të shkëlqyer, duke u renditur e katërta me 62.270 vota (8,97%).
Ato pasohen nga koalicioni i përbërë nga “Narod i Pravda”, SDBIH dhe SPUBIH me 45.143 vota (6,51%), ndërsa koalicioni “Zhelko Komshiq – Për një Shtet Qytetar” (DF/GS) aktualisht ka 41.846 vota (6,03%).
Sa u përket partive të tjera që arritën rezultate të rëndësishme, NES BeH dhe partnerët e saj gjithashtu kaluan pragun zgjedhor me 28.018 vota (4,04%), ashtu si edhe “Nasha stranka”, e cila mori 26.659 vota (3,84%).
Partitë që aktualisht qëndrojnë nën pragun zgjedhor përfshijnë Koalicionin HDZ 1990 (3,39%), SBB-Fahrudin Radonçiq (1,29%), Iniciativën e Bosnjë-Hercegovinës – Fuad Kasumoviq (1,17%) dhe subjekte të tjera politike me rreth 1% të mbështetjes. /Telegrafi/