Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka treguar arsyet pse vendosi t’i zëvendësonte Vedat Muriqin dhe Edon Zhegrovën në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Austrisë.
Foda bëri të ditur se të dy lojtarët kërkuan vetë të dilnin nga loja, pasi nuk ndiheshin në gjendje ta përballonin ritmin deri në fund të takimit.
“Edoni vetë e kërkoi, sepse nuk mundi të përballonte lojën deri në fund. Në Juventus nuk ka luajtur kaq shumë, pra ishte kërkesë e Edonit”, deklaroi Foda.
I njëjti rast, sipas përzgjedhësit, ishte edhe me Vedat Muriqin, i cili u zëvendësua në minutën e 67-të nga Fisnik Asllani. Zhegrova u largua nga fusha në minutën e 81-të, ndërsa në vend të tij hyri Ermal Krasniqi.
Megjithatë, Foda vlerësoi maksimalisht angazhimin e lojtarëve, duke theksuar se secili prej tyre dha gjithçka në fushë, edhe pse në momente të caktuara nuk mund ta përballonte më ritmin e ndeshjes.
“E njëjta ishte edhe me Muriqin. Por jam shumë krenar që secili lojtar dha edhe më shumë në fushë, pavarësisht që nuk mundnin”, shtoi Foda. /Telegrafi/