Komuna e Shtimes ka njoftuar se është përmbyllur edicioni i tretë i Festivalit FOLK FEST, pas dy netësh të mbushura me muzikë, këngë, valle dhe tradita shqiptare e ndërkombëtare.
Nata finale u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ku performuan ansamble nga treva të ndryshme shqiptare, duke sjellë në skenë këngë, valle, kostume dhe tradita kulturore.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka marrë pjesë në të dyja netët e festivalit dhe ka falënderuar pjesëmarrësit, organizatorët dhe qytetarët për përkrahjen e këtij aktiviteti.
Në natën finale u ndanë edhe çmimet për performancat më të dalluara. Juria profesionale, e përbërë nga Dilaver Kryeziu, Besarta Reçica dhe Shaqir Hasi, ka përzgjedhur fituesit në kategoritë përkatëse.
Këngëtari më i mirë u shpall Memet Bajrami nga A.K.V. “Jeta e Re” në Sllupqanë, ndërsa çmimin për valltarët më të mirë e mori A.K.V. “Shqipet e Drenicës” nga Drenasi.
Çmimi për dyshen më të mirë iu dha binjakeve nga Sh.K.A. “Malsori” në Gjonaj, ndërsa për koreografinë më të mirë u vlerësua Sh.K.A. “Jeta e Re” nga Sllupqani.
Valltarja më e mirë u përzgjodh nga “Zahir Pajaziti” e Podujevës, instrumentisti më i mirë u shpall Naser Zeqiri nga A.K.V. “Anamorava” në Viti, ndërsa çmimin për orkestrën më të mirë e fitoi A.K.V. “Vullkani i Istogut” nga Deçani.
Çmimi për kostumet më të mira iu dha Sh.K.A. “Malsori” nga Gjonaj, ndërsa Çmimi Special shkoi për A.K.V. “Anamorava” nga Viti.
Edicioni i tretë i FOLK FEST u organizua nga A.K.V. “Ilirida”, në bashkëpunim me “Ninulla Festival”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Shtimes. /Telegrafi/