Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet në disa projekte kapitale në fshatrat e kësaj komune.
Sipas tij, në fshatin Zgatar po vazhdon projekti i kubëzimit të rrugëve dhe ndërtimit të tri mureve mbrojtëse.
Ndërkohë, në Kuklibeg ka nisur projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës, si dhe ndërtimin e një muri mbrojtës. Xheladini ka bërë të ditur se pritet të nisë së shpejti edhe projekti për kubëzimin, trasimin dhe rehabilitimin e rrugës fushore, si dhe rregullimin e ujërave atmosferike.
Në fshatin Kërstec, sipas kryetarit të komunës, ka përfunduar projekti për rregullimin e infrastrukturës së fshatit.
Xheladini ka thënë se projektet do të vazhdojnë edhe në fshatra të tjerë, me synim përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët. /Telegrafi/