Mbi 3,500 trupa nga Azerbajxhani, Turqia dhe Uzbekistani morën pjesë në stërvitjen e përbashkët ushtarake “Power of Unity-2026”, e zhvilluar për herë të parë në rajonin e Karabakut, në Azerbajxhan.
Forcat ushtarake simuluan skenarë të ndryshëm, përfshirë sulme masive me dronë, sulme kibernetike, dezinformim, incidente kufitare dhe operacione detare.
Në stërvitje u përdorën më shumë se 130 mjete pa pilot, 70 automjete të blinduara, mbi 90 sisteme artilerie dhe më shumë se 20 mjete ajrore.
Trupat u trajnuan gjithashtu për përballimin e sulmeve me dronë, pastrimin e fushave të minuara dhe operacionet kundër objektivave të simuluara terroriste.
Stërvitja përfshiu edhe skenarë të rinj të luftës moderne, si mbrojtja ndaj sulmeve kibernetike dhe dezinformimit, si dhe operacione në Detin Kaspik, ku u simulua lirimi i një anijeje dhe shpëtimi i pengjeve.
Ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve vlerësuan gatishmërinë e forcave dhe aftësinë për të zhvilluar operacione të përbashkëta.
Pas stërvitjes, ministrat e Mbrojtjes të Azerbajxhanit, Turqisë dhe Gjeorgjisë zhvilluan një takim në Shusha, ku diskutuan bashkëpunimin ushtarak, sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet trepalëshe. /Telegrafi/