Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ka prezantuar në Kuvend ndryshimet në Ligjin për Mjedisin Jetësor, të cilat synojnë harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë të Bashkimit Evropian, përmes përfshirjes së Direktivës 2014/52/BE për përmirësimin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Hoxha theksoi se që nga viti 2014 nuk janë ndërmarrë ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat janë të rëndësishme jo vetëm për procesin e integrimit evropian, por mbi të gjitha për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Sipas ministrit, me ndryshimet e propozuara, në procesin e vlerësimit të ndikimit të projekteve në mjedis do të përfshihet edhe ndikimi klimatik, ndërsa do të forcohet mbrojtja e biodiversitetit dhe do të përmirësohet sistemi i masave parandaluese për projektet që lidhen me rreziqet nga fatkeqësitë natyrore.
Një tjetër risi e rëndësishme është mundësia që publiku të ketë qasje elektronike në informacionet mjedisore, duke rritur transparencën dhe qasjen e qytetarëve në të dhënat që lidhen me mjedisin.
Ministri Hoxha vlerësoi se këto ndryshime do të kontribuojnë në përmirësimin e ndjeshëm të gatishmërisë së sistemit për mbrojtjen e mjedisit, si dhe në përafrimin e standardeve vendore me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Ndryshimet në ligj synojnë të krijojnë një sistem më të avancuar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, me vëmendje më të madhe ndaj ndryshimeve klimatike, biodiversitetit, parandalimit të rreziqeve dhe transparencës.