Nga: Clara Juárez Miró / The Conversation
Përkthimi: Telegrafi.com
Teksa mbështetja për lëvizjet populiste po rritet në mbarë botën, termi është shndërruar në një lloj fjale të modës. Përdoret për të përshkruar lëvizje dhe figura shumë të ndryshme publike në kontekste shumë të ndryshme politike. Këto variojnë nga figurat e së djathtës, si Jair Bolsonaro në Brazil dhe Narendra Modi në Indi, te figurat e së majtës, si Bernie Sanders në ShBA, Pablo Iglesias në Spanjë dhe Julius Malema në Afrikën e Jugut.
Për ta ndërlikuar edhe më tej këtë çështje, studiuesit priren të punojnë me përkufizime të ndryshme të populizmit. Disa e shohin atë si ideologji, të tjerët si një lloj diskursi apo edhe si një formë qeverisjeje. Pavarësisht këtyre dallimeve, shumica e përkufizimeve pajtohen për një ide themelore. Populizmi e ndan shoqërinë në dy grupe kundërshtare: “popullin e pastër” dhe “elitat e korruptuara”.
Koncepti për “popullin” është themeli i populizmit, por ende dimë relativisht pak se çfarë do të thotë në të vërtetë për përkrahësit që ta shohin veten si pjesë të këtij grupi. Një pjesë e madhe e kërkimeve është përqendruar te vetë partitë dhe udhëheqësit populistë, përfshirë mënyrën se si ata e paraqesin versionin e tyre të “popullit” si moralisht më të lartë se elitat e korruptuara. Hulumtimi im shqyrton anën tjetër, për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo për përkrahësit të cilët me votë i sjellin ata në pushtet.
Lexo po ashtu:
– “Populizmi”: Dikur e dinim çfarë do të thoshte, tani fjala përcaktuese e epokës sonë e ka humbur kuptimin
– Një ese mbi populizmin
– Pra, çfarë është populizmi?
– Pse populistët magjepsen me letërsinë fantastike?
– Dinamika psikologjike që u mundëson diktatorëve të qëndrojnë në pushtet
– Totalitarizmi dhe virtyti i gënjeshtrës
– Patokracia
Një koncept pafundësisht fleksibil
Disa autorë kanë pohuar se paqartësia se kush janë “populli” është në fakt një element kyç i tërheqjes së madhe të populizmit. Për shkak se ideja është e gjerë dhe fleksibile, ajo mund të përhapet nëpër vende dhe ideologji politike, duke u mundësuar grupeve të ndryshme të votuesve të identifikohen me të dhe ta përfytyrojnë veten si pjesë të së njëjtës bashkësi më të gjerë.
Ky nuk është rasti për “popullin” – termat si “establishmenti” ose “elitat” përdoren me një efekt të ngjashëm për të identifikuar në mënyrë të gjerë ata që nuk janë “populli”.
Ky fleksibilitet do të thotë se njerëzit që përfshihen te “populli” mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme. Politikanët mund ta përdorin këtë term për t’iu referuar atyre që kanë të përbashkët një identitet të caktuar kulturor, siç bën populistja franceze e djathtë Marine Le Pen, kur e përdor atë për të promovuar politika të cilat u japin përparësi qytetarëve francezë.
Në mënyrë të ngjashme, të tjerët i referohen atij si diçka që mbivendoset drejtpërdrejt me grupimet kombëtare. Për shembull, partia populiste e së djathtës radikale në Spanjë, Vox, shpesh pretendon se flet në emër të “popullit spanjoll”.
Të tjerët, si populistja gjermane Sahra Wagenknech – pozicioni politik i së cilës ndërthur elemente të së majtës ekstreme dhe të së djathtës – e përdorin atë për t’iu referuar grupeve në disavantazh ekonomik, për shembull duke mbrojtur ata që janë “harruar prej vitesh nga politikanët”, për të promovuar paga më të larta dhe përfitime më të mëdha sociale.
Edhe pse pjesëtarët e këtij grupi të përfytyruar mund të jenë krejtësisht të ndryshëm, populistët në të gjithë spektrin politik e paraqesin “popullin” si një grup të bashkuar dhe moralisht të mirë, interesat e të cilit po shpërfillen ose tradhtohen nga elitat e korruptuara. Figurat dhe partitë populiste e paraqesin veten si zgjidhje, si një forcë që është e vetmja e aftë ta kuptojë dhe t’i shërbejë një elektorati të shtypur dhe të shpërfillur.
Është po aq e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje asaj se kë përfshijnë politikanët në këtë bashkësi të përfytyruar dhe se kë e përjashtojnë. Në të djathtën, kjo ndarje shpesh bëhet sipas vijave kulturore ose racore, ndërsa e majta zakonisht përjashton klasat më të pasura shoqërore.
Politikanët populistë madje mund të sugjerojnë se kushdo që nuk pajtohet me ta, në të vërtetë nuk i përket fare “popullit”. Populisti britanik dhe arkitekti i Brexit-it, Nigel Farage, e shprehu këtë në kuptimin më të drejtpërdrejtë kur tha “ne jemi populli. Partia Brexit është populli”.
Përkrahësit e populizmit
Hulumtimet e mëparshme kanë matur se sa fuqishëm identifikohen votuesit individualë me “popullin”. Megjithatë, për ta kuptuar më mirë se çfarë do të thotë t’i përkasësh këtij grupi, duhet gjithashtu të bëjmë një hap prapa dhe të analizojmë interpretimet, emocionet dhe përvojat që përkrahësit i lidhin me këtë bashkësi të përfytyruar.
Një mënyrë për ta bërë këtë është të bisedojmë me përkrahësit e lëvizjeve të ndryshme populiste, për të kuptuar se çfarë nënkupton për ta anëtarësia te “populli”. Një mënyrë tjetër është të analizojmë komunikimin mes këtyre përkrahësve në komunitete të internetit. Këto hapësira ofrojnë mundësi pa kufizime gjeografike për t’i interpretuar së bashku mesazhet politike, për të zhvilluar një ndjenjë të përbashkët identiteti dhe përkatësie, si dhe për të përcaktuar se kush përfshihet dhe kush përjashtohet prej “popullit”.
Hulumtimi im ka ndjekur të dy këto drejtime. Në një studim të kohëve të fundit, analizova gjashtë mijë ndërveprime në komunitete të internetit, si dhe 33 intervista të thelluara me përkrahës populistë të së djathtës dhe të së majtës. Analiza tregoi se përkrahësit populistë identifikoheshin me “popullin” në tri mënyra: përmes mënyrës se si e përfytyrojnë grupin, se si ndihen në lidhje me të dhe se si e përjetojnë të qenët pjesë e tij.
Siç kanë sugjeruar hulumtimet e mëparshme, përkrahësit shpesh e përfytyrojnë “popullin” si punëtor, meritor dhe moralisht legjitim. Përkrahësit e së djathtës e lidhin këtë identitet me përkatësinë kulturore, ndërsa përkrahësit e së majtës theksojnë identitetin e klasës punëtore.
Megjithatë, ky identifikim është gjithashtu goxha emocional. Përkrahësit shprehin afeksion të dhe besnikëri të madhe ndaj politikanëve populistë që parapëlqejnë, ndërsa shfaqin zemërim dhe frikë ndaj elitave, kundërshtarëve dhe grupeve që i shohin si kërcënim për bashkësinë. Ata shprehin gjithashtu dashuri dhe mirëkuptim të thellë për pjesëtarët e tjerë të “popullit” – qoftë kur kjo bashkësi është më abstrakte, qoftë kur përbëhet prej njerëzve të caktuar me të cilët janë në kontakt brenda ose jashtë internetit.
Ata e përjetojnë “popullin” edhe përmes marrëdhënieve dhe pjesëmarrjes politike. Ndërveprimi me të tjerët të cilët perceptohen si pjesëtarë të “popullit” krijon ndjesi përkatësie, konfirmimi dhe qëllimi, ndërsa veprimtaria politike – qoftë jashtë internetit, në tubime dhe protesta, qoftë në internet – mund ta forcojë këtë ndjenjë bashkësie dhe të nxisë pjesëmarrje të mëtejshme.
Të marra së bashku, kjo sugjeron se mbështetja për populizmin nuk lidhet vetëm me idetë apo politikat. Identifikimi me “popullin” funksionon sepse fleksibiliteti i këtij termi u lejon politikanëve ta paraqesin atë në mënyra bindëse dhe sepse interpretimet e përkrahësve përputhen me këto mesazhe politike.
Por, është edhe aspirues, duke u ofruar një ndjenjë bashkësie dhe përkatësie atyre që mund ta shohin veten si pjesë të këtij grupi. Ai i ndihmon përkrahësit të ndiejnë se i përkasin atij, se të tjerët i kuptojnë dhe se janë të lidhur me një qëllim të përbashkët. /Telegrafi/

