Drejtori i Shërbimeve Publike, Përparim Krasniqi, ka njoftuar se sot e shtune do të rifillojnë punimet në rrugën “Dëshmorët e Pashtrikut” në Rahovec.
Sipas njoftimit, vendimi për rifillimin e punimeve është marrë pas kërkesës së kryetarit të komunës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike, si dhe pas bisedimeve me operatorin ekonomik.
Krasniqi ka bërë të ditur se, pavarësisht vështirësive financiare me të cilat po përballet komuna, është arritur mirëkuptim me operatorin për vazhdimin e punimeve në këtë rrugë.
“E kuptojmë shqetësimin e qytetarëve, por kërkojmë edhe mirëkuptim dhe durim për vonesat e deritashme”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka falënderuar operatorin ekonomik për gatishmërinë dhe bashkëpunimin për rifillimin e punimeve. /Telegrafi/