Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të mitur, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë vjedhje dhe tentim-vjedhje në Vushtrri.
Rasti është raportuar të premten pasdite në Stacionin Policor në Vushtrri, pasi disa persona të dyshuar kishin vjedhur një shumë parash në një market dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes me dy motoçikleta.
Si rezultat i veprimeve operative dhe hetimore, policia ka arritur t’i arrestojë katër të dyshuarit në dy lokacione të ndryshme.
Dy prej tyre janë ndaluar në fshatin Pestovë, ndërsa dy të tjerët, të cilët po udhëtonin me motoçikletën tjetër, janë ndaluar në fshatin Gracë të Vushtrrisë, në koordinim me njësitet policore të Stacionit Policor në Obiliq.
Sipas Policisë, hetimet kanë zbuluar se katër të dyshuarit, të gjithë të mitur, dyshohet se brenda një periudhe të shkurtër kanë kryer disa veprime të kundërligjshme.
Fillimisht, ata dyshohet se kanë vjedhur një motoçikletë në Vushtrri, më pas kanë tentuar të kryejnë vjedhje në një market, ndërsa rreth orës 16:00 kanë vjedhur një shumë parash në një market tjetër dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Si prova materiale janë sekuestruar dy motoçikletat dhe paratë e vjedhura, të cilat, pas përfundimit të procedurave, pritet t’u kthehen pronarëve.
Pas konsultimit me Prokurorin për të Mitur dhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, duke marrë parasysh moshën e të dyshuarve, të katër të miturit janë liruar.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për rastet e vjedhjeve dhe tentim-vjedhjes janë duke vazhduar, me qëllim të verifikimit të plotë të rrethanave dhe identifikimit të përfshirjes eventuale të personave të tjerë.