Bashkimi Evropian ka propozuar një sistem të ri komunikimi që do t’u mundësojë policisë, zjarrfikësve dhe shërbimeve të emergjencës të koordinohen më lehtë gjatë krizave ndërkufitare.
Aktualisht, shërbimet e emergjencës në 27 vendet e BE-së përdorin kryesisht radio, por komunikimi i sigurt shpesh ndërpritet sapo ekipet kalojnë kufijtë shtetërorë.
Sistemi i propozuar, i quajtur “EU Critical Communication System”, do të kalojë gradualisht nga radioja te teknologjitë broadband, përfshirë 5G.
Ai do të mundësojë shkëmbimin në kohë reale të videove, mesazheve dhe vendndodhjes.
BE-ja planifikon gjithashtu një qendër të përbashkët për koordinimin e sistemeve kombëtare dhe monitorimin e rreziqeve kibernetike.
Në rast të ndërprerjes së rrjeteve tokësore, satelitët e BE-së do të shërbejnë si rezervë.
Komisioni Evropian përmendi si raste ku sistemi mund të jetë i dobishëm zjarret, operacionet kundër terrorizmit, kërcënimet nga dronët dhe kërkim-shpëtimin në Mesdhe.
Brukseli synon që sistemi të jetë plotësisht funksional deri në vitin 2036, por plani duhet të miratohet nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian. /Telegrafi/