Kërkesat për makina elektrike po vazhdojnë të kenë rritje, si në Zvicër, ashtu edhe në Lihtenshtajn.
Në shtator të këtij viti, 36% e makinave të regjistruara rishtazi ishin automjete tërësisht elektrike.
Kjo është hera e parë që makinat elektrike përbëjnë më shumë se një të tretën e regjistrimeve të reja të makinave, njoftoi shoqata e industrisë “Auto-Schweiz”.
Hibridet “plug-in”, pra, automjetet me motor me djegie të brendshme dhe bateri që mund të karikohet nga rrjeti elektrik, zunë një pjesë prej 10% në shtator.
Shoqata e sheh pozitivisht këtë zhvillim. Megjithatë: “Përshpejtimi i lëvizshmërisë elektrike mbetet ende me një çerek prapa parashikimeve të udhërrëfyesit për vitin 2025,” thotë drejtori Thomas Rücker në deklaratë, raporton SRF.
Fillimisht, industria kishte vendosur si synim arritjen e një pjese tregu prej 50 për qind për automjetet “plug-in” (makinat elektrike dhe hibridet “plug-in”) deri në vitin 2025. “Kushtet kuadër për elektromobilitetin duhet të përmirësohen shpejt,” kërkon Rücker.
Në shtatorin e kaluar, në Zvicër u regjistruan gjithsej 21.948 makina të reja. Kërkesa për makina që përdorin vetëm benzinë ose naftë vazhdon të ulet. Së bashku, këto përbënin rreth një të pestën e regjistrimeve të reja muajin e kaluar.
Në shkallë vjetore, makinat elektrike aktualisht zënë një pjesë tregu prej 26 për qind, ndërsa hibridet “plug-in” përbëjnë 12 për qind të regjistrimeve të reja.