Sipërmarrësi Fisnik Salihu, bashkëthemelues i “The Eksperts”, drejtor teknik e drejtor menaxhues në HYPOTEQ AG, si dhe udhëheqës i programit në CAAIE, që vepron mes Cyrihut dhe Prishtinës, ka folur në një intervistë për Telegrafin për marrëdhëniet Kosovë-Zvicër dhe potencialin e madh që ekziston mes dy vendeve.
Përmes angazhimit të tij në teknologji, fintech, inteligjencë artificiale dhe zhvillim të biznesit, ai sheh mundësi të shumta për një bashkëpunim më të thellë mes Kosovës, Zvicrës dhe diasporës shqiptare.
Në intervistë, Salihu flet për potencialin e pashfrytëzuar të diasporës, nevojën për më shumë siguri juridike dhe transparencë për investitorët, mundësitë në teknologji dhe inteligjencë artificiale, si dhe për rëndësinë e arsimit profesional dhe modelit dual zviceran.
Sipas tij, diaspora e re nuk duhet të shihet vetëm si burim remitencash apo si vizitore gjatë verës, por si partner strategjik, me njohuri, kapital, përvojë dhe lidhje që mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e Kosovës.
Intervista e plotë:
Telegrafi: Si e vlerësoni sot marrëdhënien Kosovë-Zvicër dhe ku është potenciali më i madh i pashfrytëzuar?
Salihu: E vlerësoj si një marrëdhënie shumë të mirë, të qëndrueshme dhe të ndërtuar me vite. Megjithatë, deri më sot ajo ka qenë kryesisht e njëanshme: njëra palë jep, tjetra merr.
Këtu shoh dy etapa. Gjenerata e parë u largua nga atdheu nën shtypje dhe ka dhënë pa pritur asgjë në këmbim, me dashurinë dhe vullnetin për ta rindërtuar vendin. Gjenerata e dytë e ka gjetur, apo e ka krijuar, shtëpinë e saj në Zvicër (ose ne diasporë). Ajo nuk kërkon vetëm një lidhje emocionale, por një marrëdhënie reciproke, ku edhe ajo përfiton.
Potencialin më të madh të pashfrytëzuar e shoh te krenaria për vendin. Kosova sot është e lirë dhe sovrane, por shumë njerëz ende jetojnë sipas modeleve të së kaluarës. Kjo nis nga gjëra që duken të vogla: emrat e vendbanimeve shpesh ende shkruhen në trajtën që e kishte imponuar regjimi i dikurshëm. Në të njëjtën kohë, shumë të rinj ende nuk e kanë kuptuar se tani janë ata që vendosin për të ardhmen e vendit, gjë që duket edhe në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje. Pa këtë vetëdije, shumë njerëz nuk guxojnë të ndërmarrin hapa dhe të ndërtojnë diçka.
Telegrafi: A po e shfrytëzon Kosova mjaftueshëm potencialin e diasporës, përtej remitencave?
Salihu: Jo mjaftueshëm. Remitencat kanë qenë dhe mbeten një shtyllë e rëndësishme për shumë familje, por diaspora ende shihet kryesisht si burim parash, dhe kjo është plotësisht një trashëgimi e periudhës së pasluftës dhe e shtypjes nga regjimi.
Në Zvicër kemi një gjeneratë të re profesionistësh shqiptarë: sipërmarrës, inxhinierë, mjekë, bankierë, specialistë të teknologjisë. Kjo gjeneratë është rritur në sistemin zviceran dhe e njeh nga brenda se si funksionon një ekonomi e qëndrueshme. Kosova duhet ta trajtojë diasporën si partner strategjik, jo vetëm si vizitor të verës apo si familjar. Kjo nënkupton programe konkrete për transferim njohurish, mentorim, angazhim të ekspertëve të diasporës në projekte afatshkurtra dhe përfshirje reale në vendimmarrje.
Si sipërmarrës që vepron njëkohësisht në Kosovë dhe në Zvicër, shoh çdo ditë sa shumë vullnet ka, por edhe sa pak struktura ekzistojnë për ta kanalizuar atë. Ende mbizotëron një kulturë ku prioritet nuk është vullneti i sinqertë afatgjatë, por fitimi personal afatshkurtër.
Telegrafi: Çfarë mund të bëjë Kosova për të tërhequr më shumë investime nga diaspora në Zvicër?
Salihu: Investitori nga diaspora, sidomos ai që jeton në Zvicër, është mësuar me parashikueshmëri, transparencë dhe procedura të qarta. Pra, gjëja e parë është besimi: sundimi i ligjit, gjykata që funksionojnë dhe siguri juridike për pronën.
E dyta janë procedurat. Një investitor duhet të mund të regjistrojë biznesin, të marrë lejet dhe të komunikojë me institucionet në mënyrë digjitale, edhe nga jashtë vendit, pa pasur nevojë të udhëtojë disa herë apo të gjejë “njeriun e duhur”. Procesi duhet të jetë i qartë dhe i barabartë për të gjithë, e jo një proces ku gjithçka mbështetet në njëfarë niveli nepotizmi.
Telegrafi: Në cilat fusha, veçanërisht teknologji, inovacion dhe sipërmarrje, mund të ndërtohet bashkëpunim më i madh?
Salihu: Teknologjia është fusha ku bashkëpunimi funksionon tashmë në praktikë. Me The Eksperts kemi zyra në St. Gallen, Zürich dhe Prishtinë, dhe ekipet tona punojnë çdo ditë së bashku për klientë zviceranë, përfshirë kompani të mëdha në sektorë të ndryshëm si sigurimet, telekomunikacioni, bankat zvicerane, si dhe prodhimi dhe tregtia. Kjo tregon se modeli funksionon: cilësia dhe standardet zvicerane, të kombinuara me talentin dhe energjinë e ekipeve në Kosovë.
Shoh potencial të veçantë në zhvillimin e softuerit dhe produkteve digjitale, në inteligjencën artificiale, në fintech, ku me HYPOTEQ po e përjetoj nga afër transformimin digjital të sektorit financiar në Zvicër, si dhe në sigurinë kibernetike dhe teknologjinë arsimore. Por bashkëpunimi nuk duhet të mbetet te “outsourcing”. Qëllimi duhet të jetë që nga Kosova të dalin edhe produkte dhe kompani të veta, me qasje në tregun zviceran dhe evropian. Për këtë nevojiten lidhje më të forta mes universiteteve, startup-eve dhe investitorëve të të dy vendeve.
Telegrafi: Çfarë duhet të ndryshojë që diaspora e re të qëndrojë e lidhur me vendin dhe të investojë këtu?
Salihu: Këtu shoh dy aspekte.
I pari: të jesh i lidhur me vendin do të thotë të ndihesh i mirëpritur, të shohësh një vend që zhvillohet dhe një vend që e do vetveten. Kjo është edhe çështje psikologjike: askush nga jashtë nuk mund ta dojë një vend, nëse ky vend nuk e do vetveten. Populli në Kosovë duhet të fillojë të marrë përgjegjësi, ta respektojë ligjin, ta respektojë njëri-tjetrin, të punojë, ta ruajë ambientin dhe të qëndrojë i bashkuar si shqiptarë që i mbrojnë traditat, gjuhën dhe trashëgiminë, si dhe sakrificën e Adem Jasharit dhe të luftëtarëve të tjerë.
I dyti: diaspora e re nuk e ka të njëjtën lidhje si gjenerata e parë. Investimet e saj nuk bazohen në emocione apo në vullnetin për liri dhe rindërtim, por në llogari ekonomike. Nëse nuk ka vlerë të shtuar, investimi nuk ndodh. Prandaj Kosova duhet të ofrojë kushte që e bëjnë investimin të arsyeshëm edhe nga ana ekonomike, jo vetëm nga ana emocionale.
Telegrafi: Cilat janë tri fusha ku Kosova dhe Zvicra mund të bëjnë shumë më tepër gjatë pesë viteve të ardhshme?
Salihu: Së pari, tregtia dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n, e cila hyri në fuqi pikërisht tani, më 1 tetor 2026. Kjo marrëveshje hap dyer të reja, por vetëm marrëveshja nuk mjafton. Sektorët që preken prej saj duhet të forcohen në mënyrë aktive, në mënyrë që kompanitë kosovare ta përmbushin cilësinë dhe standardet e tregut zviceran dhe të mos mbeten vetëm importues.
Së dyti, ekonomia digjitale dhe inteligjenca artificiale. Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Evropë, dhe teknologjia është sektori ku kjo përparësi mund të kthehet më shpejt në vlerë reale. Por për ta realizuar këtë dhe për të depërtuar në tregun ndërkombëtar, cilësia në Kosovë duhet të ngrihet. Nga ana tjetër, shqiptarët në Zvicër kanë rolin të krijojnë urat mes dy tregjeve.
Së treti, arsimi profesional dhe aftësitë. Modeli dual zviceran është ndër më të suksesshmit në botë. Përshtatja e tij në Kosovë, në bashkëpunim me kompani zvicerane dhe me profesionistë të diasporës, do të ishte një investim afatgjatë me ndikim të madh. Kjo mund të jetë një strategji afatgjatë e vlefshme për të dyja palët: Zvicra ka një popullsi që po plaket, ndërsa Kosova ka kapitalin më të çmuar, një popullsi të re.
Në fund nëse do të mund të uroja si të shihen shqiptarët në botë, do të ishte si një popull plot respekt, një popull punëtor, një popull paqësor dhe një popull që e do traditën, gjuhën dhe vendin e vet. /Telegrafi/