Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka dorëzuar tri automjete të reja dhe moderne të zjarrfikjes për Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Shtime, Lipjan dhe Drenas.
Sipas AME-së, investimi për këto automjete kap vlerën e përgjithshme prej 1,780,056 eurosh.
Ceremonia e dorëzimit është mbajtur të premten në ambientet e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, ku kanë marrë pjesë zëvendësministri i MPB-së, Enver Dugolli, u.d. drejtori ekzekutiv i AME-së, Shefki Abdullahu, zyrtarë të Agjencisë, përfaqësues komunalë, si dhe komandantë e pjesëtarë të ekipeve të zjarrfikësve.
Sipas AME-së, investimi synon fuqizimin e kapaciteteve operacionale për menaxhimin e emergjencave dhe rritjen e shpejtësisë e efikasitetit të reagimit në terren.
Gjatë ceremonisë, u.d. drejtori ekzekutiv i AME-së, Shefki Abdullahu, prezantoi raportin zyrtar dhe specifikat teknike të automjeteve.
Abdullahu tha se pajisjet e reja do të ndikojnë në rritjen e gatishmërisë dhe sigurisë operative të ekipeve të zjarrfikësve.
Ndërkaq, zëvendësministri i MPB-së, Enver Dugolli, tha se investimet në këtë fushë do të vazhdojnë.
“Ndonëse ky moment mund të duket ceremonial, në thelb kjo është pjesë e punës dhe angazhimit tonë të vazhdueshëm që nuk do të ndalet. Fokusi i Qeverisë dhe MPB-së mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i kushteve të punës për zjarrfikësit përmes investimeve në automjete e pajisje, në mënyrë që ata të kryejnë me sukses misionin e tyre”, tha Dugolli.
Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, automjetet e reja pritet të ndikojnë në rritjen e sigurisë së përgjithshme, mbrojtjen e infrastrukturës dhe gatishmërinë e njësive emergjente në rajonet përkatëse. /Telegrafi/