Pas barazimit pa gola ndaj Izraelit në Debrecen, Kombëtarja e Kosovës është rikthyer në Prishtinë dhe ka zhvilluar stërvitjen e parë para ndeshjes së fundit të këtij grumbullimi ndaj Austrisë.
“Dardanët” janë rikthyer në Kosovë pas ndeshjes së zhvilluar të enjten mbrëma ndaj Izraelit, e cila përfundoi me rezultat 0:0.
Skuadra ka nisur menjëherë përgatitjet për sfidën e radhës, me përzgjedhësin Franco Foda që sot (e premte) ka zhvilluar një seancë stërvitore në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Në këtë stërvitje, Foda kishte në dispozicion 14 futbollistë, ndërsa lojtarët që ishin titullarë në ndeshjen ndaj Izraelit nuk u angazhuan me grupin.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, titullarët e duelit në Debrecen zhvilluan seancë rigjeneruese në palestër në hotel, me qëllim rikuperimin pas angazhimit të tyre.
Tashmë, i gjithë fokusi i “Dardanëve” është te Austria, kundërshtari i fundit në këtë grumbullim.
Kosova dhe Austria do të përballen të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një tjetër sfidë të rëndësishme të Ligës së Kombeve. /Telegrafi/