Në Kosovë flitet shumë për parashikimet e fituesve të zgjedhjeve, për Big Brother-in apo edhe për atë se cila video do të bëhet virale. Për biznesin, ndërkaq, flasim kryesisht në terma të përgjithshëm dhe shumë më rrallë përpiqemi të parashikojmë se cilat kompani individuale mund të kenë performancë të mirë.
Kështu tha Astrit Panxha përmes një postimi të tij në rrjetin social në Facebook duke bërë përzgjedhjen e dhjetë kompanive që, sipas tij, mund të jenë ndër performueset më të mira të vitit 2026 në Kosovë.
Lista, siç sqaron Panxha, bazohet në informacione publike, performancën historike dhe reputacionin menaxherial.
Ai thekson se nuk ka pasur qasje në bilancet e kompanive dhe se lista nuk përbën renditje sipas madhësisë apo profitabilitetit. Synimi, sipas tij, ka qenë që të përfshihen kompani nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Panxha vlerëson se zgjerimi i kompanisë përtej Kosovës, veçanërisht në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është shoqëruar me një periudhë të thjeshtë konsolidimi.
Përkundrazi, sipas tij, kompania po vazhdon me blerje dhe investime në logjistikë.
Më poshtë lexoni postimin e plotë të Astrit Panxhës:
10 kompanitë që po performojnë mirë gjatë vitit 2026
Te na flitet shumë për parashikimin e fituesve të zgjedhjeve, Big Brother-in, e besa edhe për atë se cila video do të bëhet virale (jo asi që po mendon). Për biznesin flasim kryesisht në terma të përgjithshëm, por rrallë provojmë me parashiku performancën e kompanive individuale.
Prandaj, kjo është lista ime e dhjetë kompanive që besoj se do të jenë ndër fitueset e vitit 2026 në Kosovë. Lista bazohet në informacione publike, performancën historike dhe reputacionin menaxherial. Nuk i kam bilancet e tyre dhe kjo nuk është renditje sipas madhësisë apo profitabilitetit. Jam mundu me qenë sa ma gjithëpërfshirës dhe me përfshi sektorë të ndryshëm.
1.Po fillojmë me Viva Fresh Store nëse do të kisha mundësi me investu në aksionet e kësaj kompanie, do ta bëja menjëherë. Pas zgjerimit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, dikush do të priste konsolidim. Por jo shok dhe shoqe, menaxhmenti po vazhdon me blerje dhe investime në logjistikë, pa u ndal! Viva Fresh nuk është ma vetëm rrjet supermarketesh nga Kosova; po bëhet grup i fuqishëm rajonal dhe besoj se mund ta arrijë shumë shpejt qarkullimin prej një miliard eurosh.
2.Kampion i prodhimit në Kosovë. Shqiponja jonë i ka hapë krahët dhe po fluturon ku pon donë. Frutex ka investu në një objekt të madh në Gjermani, i cili po përgatitet si bazë logjistike për distribuim në Evropë. Golden Eagle Energy Drink nuk është ma vetëm brend i Kosovës, por një nga brendet e para shqiptare që po ndërton njohje globale.
3.Kompania SPEEEX ka nisë një trend që besoj se është ndër lajmet ma të mira për ekonominë tonë. Shumë njerëz krijojnë kompani me shpresën që një ditë t’ia shesin ndonjë zvicerani apo gjermani. SPEEEX e ka bërë të kundërtën: me financim deri në 13 milionë euro nga EBRD-ja, ka blerë shumicën e aksioneve në tri kompani zvicerane. Zvicër, na i ke marrë futbollistët; tash kemi fillu me t’i marrë kompanitë!
4.Greenhouse SH.P.K , edhe emri tregon për çka po flasim: për njërën nga kompanitë me rritjen ma të shpejtë në këtë sektor, sektorin e shtëpive të parafabrikuara. Green House ka qenë eksportuesi ma i madh në këtë sektor, por me investimin në fabrikën e re, me kapacitet deri në katër shtëpi në ditë, shtine lapsin edhe bëje llogarinë. Shumë shpejt ka me e arritë eksportin prej 50 milionë eurosh!
5. Kosmontefoods njihet si kompani e fuqishme e distribucionit, por tash po bën një hap shumë ma të guximshëm: po investon mbi 11 milionë euro në përpunimin e pemëve, perimeve dhe mishit të shpezëve. Gjithmonë më gëzon kur kapitali i krijuar nga tregtia investohet në prodhim. Kombimin distribucion edhe prodhim ka me qen shumë i sukseshëm.
6.Grupi CDI që qëndron pas Interex , IP Petrol-it, American Retail Park dhe tash Shell Kosova po ndërton një ekosistem shumë të fuqishëm. Sipas raportimeve mediale, Shell Kosova është blerë për rreth 60 milionë euro. Ka raportime edhe për zgjerim drejt Maqedonisë së Veriut ku e ka blerë Tinex rrjetin e shitjes me pakicë. Ncse vazhdon me këtë ritëm, CDI mund të bëhet grup i fuqishëm rajonal. Dalëngadalë, Kosova po bëhet “king” i retail-it në rajon.
7.Kush e njeh Buçaj, e di se kjo kompani është sinonim i disiplinës në distribuim dhe shitje. Ka përvojë, reputacion dhe vazhdimësi në rritje. Hyrja e IQOS-it në treg pritet t’i japë shtytje shtesë shitjeve dhe qarkullimit gjatë vitit 2026. Duke i njoft nuk besoj që ndalen me kaq.
8. Telekomi i Kosovës- Prania e një kompanie shtetërore në këtë listë është befasi për të mirë. Pas shumë vitesh keqmenaxhim dhe keqpërdorime, Telekomi po merr frymë përsëri. Po investon, po e konsolidon pozitën në treg dhe, në vend se të marrë mjete nga Qeveria, po i shlyen obligimet nga aktiviteti i vet. Respekt për menaxhmentin VALA po jep sinjal përsëri, edhe financiarisht.
9. Trepharm Po të operonte në një treg më të madh dhe me përkrahje institucionale, Trepharm do të kishte potencial për qarkullim shumë ma të lartë mbi 100 milionë euro. Kompania ka mbi 120 produkte, më shumë se 250 punëtorë dhe është certifikuar me EU-GMP. Ky standard ia hap rrugën tregut evropian dhe pres të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e eksporteve.
10. Në fund, por jo për nga rëndësia qershia mbi tortë. Dukagjini Resort është emër i njohur në media dhe botime, por është bërë fuqi edhe në ndërtim. Së fundmi ka hyrë fuqishëm në Shqipëri. Vetëm projekti te Rana e Hedhun përfshin rreth 80 milionë euro investim, ndërsa projekte të tjera janë në përgatitje. Ambicia, pra, nuk përfundon te këto 80 milionë.
Këto kompani po e vendosin Kosovën në hartë jo me fjalime, por me fabrika, blerje, eksporte, teknologji dhe standarde ndërkombëtare.
Cila kompani mendoni se mungon në këtë listë?