Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka akuzuar qeverisjen lokale për, siç ka thënë, probleme me pagat e punëtorëve të ndërmarrjeve publike komunale dhe për menaxhimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar një ditë më parë, ndërsa, sipas tij, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) nuk janë paguar për dy muaj.
“Dje janë ekzekutuar pagat në sektorin publik, për të gjithë administratën shtetërore. Në Prishtinë, tash e dy muaj punëtorët e NPB-së nuk janë paguar, kurse këtë muaj nuk ka paga as për punëtorët e ndërmarrjes ‘Gjelbër’. Akoma nuk janë siguruar pagat as për punëtorët e ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’”, ka shkruar ai.
Sveçla ka kritikuar edhe udhëheqjen e Komunës së Prishtinës, duke thënë se ajo qeveriset nga PDK-ja dhe LDK-ja, me Përparim Ramën në krye.
Në pjesën tjetër të reagimit, ai është ndalur te gjendja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, duke pretenduar se Komuna e Prishtinës ka një borxh prej rreth 1.5 milion eurosh ndaj kësaj ndërmarrjeje.
“Pallati i Rinisë dhe i Sporteve, i ndërtuar me kontributin e vetë qytetarëve, është një nga simbolet kryesore të Prishtinës. Për breza të tërë ka qenë vendtakim dhe qendër e jetës sportive, kulturore e shoqërore të kryeqytetit. Sot, kjo pasuri e përbashkët po degradon çdo ditë”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas tij, disa prej brendeve kryesore që kanë sjellë vizitorë në Pallatin e Rinisë janë larguar, ndërsa ka pretenduar se qiratë janë dyfishuar dhe se kanë vazhduar “(mbi)punësimet partiake e shoqërore”.
Sveçla ka pretenduar se këto zhvillime janë pjesë e një strategjie për falimentimin e ndërmarrjes dhe kalimin e hapësirave afariste nën menaxhimin e një subjekti tjetër.
“Me këtë mënyrë menaxhimi, është e qartë se, pas NPB-së dhe ‘Pastrimit’, drejt dështimit po shkon edhe Pallati i Rinisë”, ka shkruar ai.
Në fund, Sveçla ia ka atribuuar përgjegjësinë për këtë gjendje kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Krejt kjo po bëhet nga Përparim Rama dhe bashkëpunëtorët e tij”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/