Këngëtarja dhe modelja e njohur shqiptare, Drenusha Latifi, ka reaguar lidhur me videot intime që kanë qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale, duke dënuar publikimin dhe shpërndarjen e tyre pa pëlqimin e personave të përfshirë.
Përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, Latifi ka theksuar se jeta seksuale është pjesë e jetës së njerëzve dhe nuk duhet të shndërrohet në objekt turpërimi.
“Seksi është pjesë e jetës. Të gjithë e bëjmë dhe nuk është turp. Ajo që është shqetësuese është ekspozimi dhe shpërndarja e videove intime të njerëzve pa pëlqimin e tyre”, ka shkruar ajo.
Latifi ka nënvizuar se cenimi i privatësisë nuk duhet të lidhet me gjininë e personave të përfshirë, duke theksuar se askush nuk meriton të poshtërohet apo të trajtohet si material për konsum publik.
Ajo ka kritikuar gjithashtu edhe rastet kur materiale të tilla paralajmërohen paraprakisht në rrjetet sociale, duke nxitur kureshtjen e publikut dhe, rrjedhimisht, shpërndarjen e tyre.
“Mos i kërkoni. Mos i shpërndani. Respektoni privatësinë. Seksi nuk është turp. Shkelja e intimitetit të dikujt është”, ka përfunduar Latifi reagimin e saj të parë.
Pas këtij postimi, këngëtarja është rikthyer me një tjetër reagim, pasi ka lexuar disa prej komenteve të bëra nga ndjekësit e saj.
Latifi ka thënë se është shqetësuar veçanërisht nga mënyra se si në komentet online fajësohen dhe poshtërohen gratë që shfaqen në materiale intime, duke e zhvendosur vëmendjen nga cenimi i privatësisë te jeta e tyre seksuale.
“Pas statusit që bëra mbrëmë, hyra dhe lexova komentet e disa burrave dhe sinqerisht u neverita. Jo pse disa gra kanë zgjedhje apo preferenca seksuale që mund të mos më interesojnë fare. Jeta seksuale e tyre nuk më intereson aspak”, ka shkruar ajo.
Sipas Latifit, shqetësimi qëndron te fakti se pas publikimit të një videoje intime, personat që e shpërndajnë dhe komentojnë atë shpesh përqendrohen te gjykimi dhe seksualizimi i grave që shfaqen në të.
“Ajo që më shqetëson është mënyra si këto gra poshtërohen: një gazetar burrë zgjedh të publikojë e të shpërndajë video intime, pastaj vijnë burrat në komente, i seksualizojnë, i ofendojnë dhe fillojnë të shpikin se ‘e kanë bërë për famë’, ‘për para’ apo ‘për diçka tjetër’”, ka shkruar Latifi.
Ajo ka kritikuar atë që e sheh si një standard të dyfishtë, ku publikimi dhe shpërndarja e materialeve bëhet nga persona të tjerë, ndërsa në fund barra e turpit dhe gjykimit bie mbi gruan.
“Pra, videoja shpërndahet nga burra, mbahet si material nga burra, komentohet nga burra… dhe në fund gruaja bëhet fajtore dhe turpërohet. Ky është mentaliteti që më neverit”, është shprehur ajo.
Në përmbyllje të reagimit të saj, Latifi ka përsëritur mesazhin se problemi nuk qëndron te jeta intime e personave, por te cenimi i privatësisë së tyre dhe ekspozimi pa pëlqim.
“Seksi nuk është turp. Poshtërimi, shfrytëzimi i privatësisë dhe ekspozimi i dikujt pa pëlqim janë problemi”, ka përfunduar këngëtarja. /Telegrafi/