“Koha e Thyer” është ekspozita fotografike e Osman Demirit, e cila e vendos përballë shikuesit një realitet të brishtë, të përkohshëm dhe vazhdimisht të ekspozuar ndaj ndryshimit.
E konceptuar mbi idenë se ajo që përjetojmë si realitet nuk është një gjendje përfundimtare, ekspozita trajton kohën jo si një rrjedhë të qetë dhe të pandërprerë, por si një tension mes asaj që mbetet dhe asaj që zhduket, mes vazhdimësisë dhe ndërprerjes.
“Koha e Thyer” nis nga vetëdija se çdo tërësi është në thelb një ekuilibër i brishtë. Format, pranitë dhe strukturat që duken të qëndrueshme mund të ndryshojnë, të zhvendosen apo edhe të shpërbëhen, ndërsa e kaluara vazhdon të jetë e pranishme përmes gjurmëve që lë pas.
Në fotografitë e Osman Demirit, kjo ide shfaqet përmes fragmentit, boshllëkut, dritës, hijes dhe reflektimit. Forma nuk paraqitet gjithmonë si një tërësi e mbyllur, por ndërpritet dhe riformulohet, duke krijuar një realitet vizual ku ajo që shohim nuk është domosdoshmërisht e plotë, por vetëm e sugjeruar.
Një rol të rëndësishëm në këtë ekspozitë luan drita. Ajo nuk përdoret vetëm për të ndriçuar dhe zbuluar objektet, por edhe për t’i ndarë, transformuar dhe zhvendosur ato nga funksioni apo identiteti i tyre fillestar. Një objekt mund të shndërrohet në sipërfaqe, ritëm, drejtim apo shenjë.
Në anën tjetër, hija nuk paraqitet thjesht si mungesë e dritës. Ajo bëhet një prani më vete, duke krijuar një kufi mes asaj që shfaqet dhe asaj që mbetet jashtë fushës së shikimit. Pikërisht përmes këtij raporti mes dritës dhe hijes, fotografia e Demirit e vendos vetë perceptimin në pikëpyetje.
Edhe reflektimi zë një vend të veçantë në konceptin e ekspozitës. Ai nuk funksionon si një kopje e saktë e realitetit, por si një version i dytë, paralel i tij. Shikuesi përballet kështu me diçka që duket e njohur, por që njëkohësisht është zhvendosur nga vetvetja.
Në këtë dyfishim, kufiri mes reales dhe pasqyrimit bëhet gjithnjë e më i paqartë. Imazhi nuk ofron një përgjigje të prerë për atë që është reale, por e vendos shikuesin përballë mënyrës se si realiteti ndërmjetësohet nga akti i të parit.
“Koha e Thyer” nuk ndërton një botë distopike, por krijon një gjendje të veçantë perceptimi. Bota mbetet e njohur, por siguria rreth kuptimit të saj fillon të lëkundet. Fotografia, në këtë rast, nuk synon ta rikthejë rendin, por ta bëjë të dukshme pasigurinë e tij.
Përmes kësaj qasjeje, ekspozita nuk kërkon të rindërtojë një tërësi të humbur. Përkundrazi, ajo qëndron brenda çarjes së saj – aty ku forma humbet sigurinë, koha pushon së qeni lineare dhe realiteti shfaqet si një ekuilibër i përkohshëm.
Në këtë hapësirë mes asaj që shihet dhe asaj që mbetet e paarritshme, fotografia e Osman Demirit merr një tjetër funksion: nuk është vetëm dëshmi e asaj që ekziston, por edhe gjurmë e asaj që mund të humbasë.
Ekspozita shoqërohet nga teksti kuratorial i Vlora Demirit. /Telegrafi/