Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të përmbushin premtimet për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor.
Ai paralajmëroi se BE-ja rrezikon besueshmërinë dhe ndikimin e saj në rajon nëse nuk përshpejton procesin.
“Procesi i zgjerimit të BE-së është në një pikë kthese”, tha Wadephul për gazetarët pas takimit të zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit, ku vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor diskutojnë integrimin ekonomik, infrastrukturën dhe pajtimin rajonal.
Wadephul kujtoi se BE-ja, në Samitin e Selanikut në vitin 2003, u kishte premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor anëtarësimin në union, shkruan politico.
Ai iu referua edhe përpjekjeve të Gjermanisë, duke theksuar se ish-kancelarja Angela Merkel e nisi Procesin e Berlinit në vitin 2014, me synimin për ta përshpejtuar integrimin. Megjithatë, edhe pas 12 vitesh të tjera, sipas tij, nuk ka pasur përparim konkret.
“Nuk e kemi përmbushur atë që premtuam”, tha ministri gjerman. “Do t’u bëja thirrje të gjithëve t’u tregojnë atyre se premtimi i Selanikut ishte i vërtetë, se jemi të besueshëm dhe se Evropa mund të jetë një partner tek i cili mund të mbështetesh”, shtoi ai.
Wadephul përmendi edhe rivalët gjeopolitikë që konkurrojnë me BE-në për ndikim në rajon, në një referencë ndaj Rusisë dhe Kinës.
Mali i Zi aktualisht është vendi që ka përparuar më së shumti në procesin e zgjerimit dhe synon të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028. /Telegrafi/