Ditët e fundit, rrjetet sociale dhe portalet janë përfshirë nga diskutime dhe aludime të shumta lidhur me disa video intime që pretendohet se u përkasin personave të njohur publikë.
Në mesin e emrave të përmendur është edhe këngëtarja Aurela Gaçe, e cila ka reaguar publikisht përmes një deklarate të gjatë.
Gaçe ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me materialet për të cilat po aludohet, duke e cilësuar përfshirjen e emrit të saj si të pabazuar dhe cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit të saj.
Këngëtarja ka sqaruar se bashkëpunimet me persona të industrisë muzikore janë marrëdhënie profesionale dhe nuk mund të përdoren si bazë për të krijuar pretendime për jetën e saj private.
Artistja ka paralajmëruar gjithashtu se nuk do të heshtë përballë pretendimeve që, sipas saj, dëmtojnë emrin dhe imazhin e saj dhe se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj rasteve që i konsideron shpifëse.
Reagimi i plotë (pa ndërhyrje):
“Përshëndetje!
Ditët e fundit po shoh emrin tim të përfshihet në lajme e aludime të pabazuara.
Përballë shpifjeve që cenojnë dinjitetin tim, nuk mund të hesht.
Bashkëpunimet e mia muzikore me autorë të kësaj industrie janë marrëdhënie profesionale.
Ato nuk i japin askujt të drejtën të sajojë histori për jetën time apo ta përdorë emrin tim për të nxitur thashetheme.
Dua të jem e qartë:
Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet.
Çdo pretendim që më lidh me të tilla përmbajtje është i pavërtetë.
Jam bijë, nënë dhe bashkëshorte.
Dinjiteti i askujt nuk duhet të bëhet objekt përbaltjeje apo argëtimi publik.
Dinjitetin tim e kam shumë të shtrenjtë dhe nuk lejoj askënd ta përdorë.
Nuk marr përsipër të gjykoj jetën private të të tjerëve.
Jam në krah të çdo vajze e gruaje që përballet me shpifje, poshtërim apo cenim të privatësisë.
Nuk do të toleroj përdorimin e emrit tim në histori të sajuara.
Për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin tim, do të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjorë.
Liria e fjalës nuk është liri për të shpifur”. /Telegrafi/