Një pyetje mbi orën që kishte zgjedhur të mbante në dorë i dha Mark Zuckerberg mundësinë të fliste për një prej emrave më të rrallë të orëndreqjes moderne. Gjatë një aktiviteti të Meta-s, themeluesi i kompanisë u pyet për modelin e orës dhe zbuloi se ajo ishte një krijim i orëndreqësit me origjinë nga Kosova, Rexhep Rexhepi.
Bëhet fjalë për Chronomètre Contemporain I, një prej modeleve që ka ndihmuar në konsolidimin e reputacionit të Rexhepit mes koleksionistëve të orëve të nivelit të lartë.
“Është një krijim i Rexhepit. Është fantastike!”, tha Zuckerberg, duke treguar orën që kishte zgjedhur.
Përtej dizajnit dhe mjeshtërisë së saj, modeli ka një histori të veçantë edhe sa i përket vlerës në treg. Chronomètre Contemporain I u ofrua fillimisht me një çmim rreth 55-60 mijë dollarë, ndërsa vite më vonë një ekzemplar i këtij modeli është shitur në ankand për rreth 1.26 milionë dollarë.
Ora e Zuckerberg është e pajisur me një kasë prej floriri rozë 18-karatësh dhe një fushë të zezë të punuar me smalt përmes teknikës tradicionale “grand feu”. Kjo metodë kërkon pjekjen e smaltit në temperatura shumë të larta dhe përdoret për të krijuar sipërfaqen karakteristike të fushës.
Një tjetër faktor që ndikon në vlerën e orëve të Rexhepit është prodhimi jashtëzakonisht i kufizuar. Punishtja e tij në Gjenevë nxjerr vetëm rreth 40 deri në 50 orë në vit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punës kryhet me dorë.
Rexhep Rexhepi lindi në Kosovë dhe u transferua bashkë me familjen në Gjenevë në moshën 11-vjeçare. Vetëm katër vite më vonë, ai nisi praktikën pranë Patek Philippe, duke u futur në botën e orëndreqjes zvicerane që në moshë shumë të re.
Në moshën 25-vjeçare, Rexhepi ndërmori hapin për të ndërtuar markën e tij dhe themeloi Akrivia. Me kalimin e viteve, kjo markë u shndërrua në një prej emrave të njohur të orëndreqjes së pavarur.
Krijimet e tij sot kanë një kërkesë të lartë në tregun e koleksionistëve. Një prej orëve të Rexhepit ka arritur në ankand vlerën prej 2.3 milionë dollarësh, ndërsa Chronomètre Contemporain I ka kaluar shifrën e 1.26 milionë dollarëve.
Megjithatë, Rexhepi ka zgjedhur të mos rrisë prodhimin për t’iu përgjigjur kërkesës së tregut. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se ka refuzuar oferta prej 800 mijë dhe 1 milion dollarësh për modele që nuk prodhohen më, duke mos pranuar t’i rikthejë ato në prodhim.