Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në dy objekte ndërtimi, në Prizren dhe Malishevë, pas konstatimit të parregullsive lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit Qendror të Punës, gjatë inspektimeve në këto dy objekte ndërtimi janë evidentuar mangësi në marrjen e masave për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve.
Për shkak të parregullsive të konstatuara, Inspektorati ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në të dyja objektet.
Punimet do të mund të rifillojnë pas eliminimit të të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimit të kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa ka apeluar te punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas Inspektoratit, respektimi i këtyre standardeve është i rëndësishëm për parandalimin e aksidenteve në vendin e punës.