Gjenerali Kadri Kastrati ka thënë se protestat që po mbahen në Prishtinë për 16 ditë rresht pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë janë një sinjal i qartë për institucionet e Kosovës.
Duke në TV Dukagjini, Kastrati ka deklaruar se protestat tregojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj mënyrës se si është trajtuar çështja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Ky është një sinjal i qartë se populli i Kosovës gjithherë kur e ka parë padrejtësinë, kur e ka parë që po trajtohet në një mënyrë të padrejtë, në një mënyrë jo ligjore dhe jo të barabartë me popujt tjerë, dhe kur bëhet një padrejtësi jashtëzakonisht e madhe, siç ishte verdikti për katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dhënien e njërit prej tyre 81 vjet burgim”, ka thënë Kastrati.
Ai ka vlerësuar se pjesë e rëndësishme e protestave është edhe rinia, përfshirë të rinjtë që kanë lindur gjatë ose pas luftës.
“Jo vetëm ata që e kanë përjetuar luftën, siç jam unë një prej tyre, por ajo që mua më ka bërë përshtypje jashtëzakonisht të madhe është rinia që ka lindur ndoshta gjatë luftës dhe pas luftës. Është ajo brumi kryesor që është duke e shprehur pakënaqësinë dhe është duke protestuar për 16 ditë rresht”, është shprehur ai.
Kastrati ka thënë se protestat po përcjellin edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për institucionet e Kosovës dhe Qeverinë.
“Unë e shoh edhe një mesazh shumë të qartë që po ia jap institucioneve të Republikës së Kosovës, po ia jep Qeverisë së Republikës së Kosovës, se nuk duhet të flejmë qysh kemi fjetur qe pesë vite e më shumë”, ka deklaruar ai.
I pyetur nëse e konsideron përgjumje qeverisjen në raport me këtë çështje, Kastrati është përgjigjur se absolutisht po.
“Absolutisht përgjumje, sepse unë nuk po shoh ndonjë veprim që është marrë deri më tani. Deklarativisht po, por veprime konkrete jo”, ka thënë Kastrati.
Sipas tij, institucionet është dashur që menjëherë pas aktgjykimit të ndërmarrin hapa të përbashkët.
“Ne është dashur që në datën 17-ta ta krijojmë apo ta formojmë një Këshill Nacional, një këshill të përbashkët të të gjitha partive politike, që të punojë shumë fuqishëm në drejtim të afrimit të dëshmive apo kundër-dëshmive të avokatëve mbrojtës që janë atje në Hagë”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka propozuar gjithashtu formimin e një grupi ekspertësh politikë që, sipas tij, do të angazhohej në komunikimin me qendrat evropiane dhe botërore.
“Sepse kjo gjykatë është politike, edhe është e qartë që dënimi dhe trajtimi gjatë gjithë kohës i këtyre burrave që janë aty ka qenë politik, pa kurrfarë faktesh, pa kurrfarë argumentesh”, ka deklaruar Kastrati./Tv Dukagjini/