Manchester City pritet të kundërshtojë vendimin në lidhje me pagesat e sponsorizimeve, duke pretenduar se paratë në qendër të çështjes janë paguar nga qeveria e Abu Dhabit dhe jo nga pronarët e klubit.
Sipas “Daily Mail”, City do të argumentojë se dokumentet bankare të qeverisë dhe dëshmitë e dëshmitarëve tregojnë se pagesat kanë ardhur nga pronari i sponsorëve, qeveria e Abu Dhabit, dhe jo nga Abu Dhabi United Group, struktura e pronësisë së drejtuar nga Sheikh Mansour, i cili është gjithashtu zëvendëspresident dhe zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Klubi është gjetur fajtor për pranimin në mënyrë të paligjshme të më shumë se 900 milionë funteve, me qëllim anashkalimin e rregullave financiare të Ligës Premier. Prej kësaj shume, 830.69 milionë funte lidhen me financime të maskuara përmes marrëveshjeve komerciale.
City pritet gjithashtu të kundërshtojë përshkrimin e marrëveshjeve si “fiktive”, duke argumentuar se Sheikh Mansour nuk mund të mos ketë qenë në dijeni për pagesa të përmasave të tilla.
Një tjetër pikë që pritet të ngrihet në apel është vonesa prej 20 muajsh në publikimin e vendimit. Manchester City e konsideron këtë vonesë si një element që e bën vendimin të pasigurt.
Klubi ka afat deri të premten për të dorëzuar ankesën, e cila mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Manchester Cityt dhe sanksionet sportive që mund të përballet./Telegrafi/