Një grup organizatash të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje partive parlamentare që të angazhohen për një marrëveshje politike që do të mundësonte zgjedhjen e Presidentit/es së Kosovës deri më 6 tetor, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat kanë vlerësuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, me mandat të plotë dhe që përmbushin përgjegjësitë ndaj qytetarëve.
Sipas tyre, mandati i dhënë nga qytetarët përbën përgjegjësi për respektimin e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
“Prandaj, u bëjmë thirrje partive parlamentare që të angazhohen menjëherë për një marrëveshje që mundëson zgjedhjen e Presidentit/es deri më 6 tetor, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.
Organizatat paralajmërojnë se dështimi i sërishëm për zgjedhjen e Presidentit/es do të sillte shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ato kanë shprehur shqetësimin se, pas krizave të përsëritura institucionale dhe cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore, një tjetër proces zgjedhor mund ta vendosë vendin përballë një ngërçi të ri institucional, pa garanci se zgjedhjet do të zgjidhnin mosmarrëveshjet aktuale.
“Vonesat institucionale dhe zgjedhjet eventuale nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjen e Presidentit/es”, thuhet më tej.
Sipas shoqërisë civile, prej dy vitesh institucionet e Kosovës kanë funksionuar në kushte të mandatit të kufizuar ose në detyrë, ndërsa një tjetër bllokadë do ta thellonte krizën dhe do ta zgjaste pasigurinë politike.
Në deklaratë theksohet se një situatë e tillë do të mund të ndikonte edhe në demokraci dhe kontrollin demokratik, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.
Organizatat kërkojnë kompromis të ndërsjellë nga partitë parlamentare. Nga shumica parlamentare kërkojnë të jetë e hapur ndaj kandidaturave që mund të sigurojnë mbështetje më të gjerë ndërpartiake, ndërsa nga partitë opozitare presin propozime konkrete dhe angazhim për një zgjidhje të realizueshme.
“Bëjmë thirrje nga të gjitha palët për gatishmëri për të rishikuar qëndrimet fillestare dhe për t’u dakorduar mbi kandidaturat, mbështetjen parlamentare dhe pjesëmarrjen e nevojshme për përfundimin e procesit në afat”, thuhet në deklaratë.
Sipas shoqërisë civile, zgjedhja e Presidentit/es përmes një marrëveshjeje në përputhje me Kushtetutën do t’i mundësonte Kosovës të dalë nga bllokada aktuale dhe institucioneve të vazhdojnë punën.
Organizatat theksojnë se një marrëveshje e tillë nuk nënkupton tejkalimin e dallimeve politike mes shumicës dhe opozitës, por bashkëpunimin institucional të nevojshëm për përfundimin e procesit.
“Presidenti/ja përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve, andaj edhe marrëveshja duhet të udhëhiqet nga ky rol kushtetues”, thuhet në deklaratë.
Në fund, organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në këtë proces përmes lehtësimit të diskutimeve eventuale.
Ato kanë kërkuar që në ditët e mbetura deri në përfundimin e afatit, gatishmëria për dialog të shoqërohet me hapa konkretë për arritjen e marrëveshjes dhe përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit/es.
Organizatat nënshkruese: (sipas rendit alfabetik)
- Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC)
- Advocacy Training and Resource Center (ATRC)
- CEL Kosova – Qendra për Barazi dhe Liri
- Civil Rights Program Kosovo – CRP/K
- Community Building Mitrovica (CBM)
- Democracy Plus (D+)
- Demokraci për Zhvillim (D4D)
- Dylberizm
- Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile
- Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF)
- Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar
- Forumi për Iniciativa Qytetare
- Fourth Wave
- Group for Legal and Political Studies (GLPS)
- Handikos Istog
- Iniciativa për Progres (INPO)
- Iniciativa Qytetare Skenderaj
- Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
- Instituti GAP
- Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
- Instituti KLGI
- Instituti Riinvest
- INTEGRA NGO
- Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)
- Kosova -Women 4 Women
- Kosovo Advocacy and Development Centre (KADC)
- Lëvizja FOL
- NGO “Syri i Vizionit”
- NGO ROMTEGRA
- OMM Gjethi
- Organizata e Personave me Aftësi të kufizuara-Handikos Kaçanik
- Organizata Germin
- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – “ÇOHU!”
- Prishtina Institute for Political Studies (PIPS)
- Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj)
- Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
- Qendra për Politika dhe Avokim
- Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD)
- Rrjeti i Grave të Kosovës
- Rrjeti i OJQ-ve AVONET
- Rrjeti i OJQve të Grave Qeliza
- SEKHMET Institute
- ShL- Kosova
- The Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims (KRTC)