Në Shkup nesër, më 2 tetor, do të ketë një regjim të veçantë trafiku në disa rrugë në zonën më të gjerë qendrore për shkak të vizitës zyrtare të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
SPB Shkup informon se Njësia e Sigurisë në Trafikun Rrugor do të marrë masa për të rregulluar dhe ridrejtuar trafikun. Gjatë vizitës, priten ndryshime dhe kufizime të përkohshme në lëvizjen e automjeteve në rrugët përgjatë të cilave do të udhëtojë delegacioni.
Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të zbatojnë urdhrat e oficerëve të uniformuar të policisë.
Von der Leyen do ta përfundojë turneun e saj në Ballkanin Perëndimor në Shkup, i cili nga 30 shtatori deri më 2 tetor përfshinë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni Evropian njoftoi se vizita i kushtohet hapave të ardhshëm në procesin e afrimit të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian dhe integrimit të tyre gradual. Fokusi është gjithashtu në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, me vlerë gjashtë miliardë euro.
Sipas axhendës zyrtare të Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit të saj në Shkup, Von der Leyen do të ketë takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski./Telegrafi/