Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë konferencës së përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kurti tha se lidhur me aktgjykimin janë tri pika që, sipas tij, duhet të theksohen në nivel ndërkombëtar.
“Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhet theksuar ndërkombëtarisht. E para, pretendimet për të ashtuquajturën ‘Shtëpi e Verdhë’ dhe për trafikimin e organeve as nuk bëjnë pjesë në aktakuzë”, tha Kurti.
Sipas tij, pika e dytë lidhet me akuzat për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile.
“E dyta, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan”, deklaroi ai.
Kurti tha gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë theksuar se UÇK-ja nuk është subjekt i gjykimit.
“E treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë që UÇK-ja nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, u shpreh kryeministri.
Megjithatë, Kurti tha se aktgjykimi përmban edhe konkluzione dhe dënime të rënda, për të cilat ai shprehu pretendimin se ka gabime faktike, historike dhe juridike.
“Në të njëjtën kohë kemi konkludime të tjera dhe dënime të rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike e juridike dhe presim që këto të korrigjohen në Apel”, tha Kurti.
Ai theksoi se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe të perceptohet si e tillë, duke kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.
“Rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës”, tha Kurti.
Në fund, kryeministri deklaroi se, sipas tij, nuk duhet të ketë barazim të përgjegjësive përmes krijimit të narrativave alternative.
“Nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë për shkak se dikush dëshiron të krijojë narrativa alternative”, përfundoi Kurti. /Telegrafi/