Një pamje e pazakontë është regjistruar në New Jersey, ku një peshkaqen u pa duke notuar nëpër një rrugë të përmbytur pas një stuhie të fuqishme që goditi bregun lindor të SHBA-së.
Drew Procaccino filmoi peshkaqenin në një lagje të Surf City, në Long Beach Island, teksa vetëm pjesa e sipërme e trupit dhe pendë e tij dalloheshin mbi ujin e përmbytjes.
Sipas Procaccino, peshkaqeni u zhduk për pak çaste në një rrugicë pranë një shtëpie, ndërsa më vonë u pa duke notuar në drejtim të Gjirit të Barnegat, transmeton Telegrafi.
Pamjet u shqyrtuan nga Greg Skomal, ekspert i peshkaqenëve në Departamentin e Peshkimit Detar të Massachusetts, i cili identifikoi kafshën si një smooth dogfish, një specie që gjendet zakonisht në ujërat bregdetare.
Edhe pse pamja duket e pazakontë, përmbytjet bregdetare mund të sjellin kafshë detare shumë më pranë zonave të banuara, veçanërisht gjatë stuhive të fuqishme.
Ngjarja në New Jersey tërhoqi vëmendje të madhe pikërisht për shkak të pamjes së pazakontë: një peshkaqen që dukej sikur po “lundronte” nëpër rrugët e një lagjeje. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com