Cristiano Ronaldo është larguar nga grumbullimi i Portugalisë, ndërsa gazetari Edu Aguirre, i cili njihet si mik i afërt i yllit portugez, ka treguar versionin e tij për arsyen që dyshohet se qëndron pas këtij vendimi.
Aguirre pretendon se gjithçka nisi pas një situate gjatë ndeshjes, kur Jorge Jesus e kishte dërguar Ronaldon në nxehje për rreth 30 minuta, por në fund nuk e aktivizoi.
“Në një takim privat me Cristianon, presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit dhe Jorge Jesusin, Jorge i kërkoi falje Cristianon pasi e kishte bërë të nxehtej për 30 minuta pa e futur në lojë”, ka deklaruar Aguirre.
Sipas gazetarit, Jesus i kishte premtuar Ronaldos se do të kërkonte falje edhe publikisht dhe do ta pranonte se kishte bërë gabim.
“Ai i premtoi Cristianon se do të kërkonte falje publikisht në konferencën e tij për shtyp, do të pranonte se kishte bërë një gabim dhe do ta sqaronte gjithçka. Por Jorge nuk e mbajti premtimin”, ka shtuar Aguirre.
Miku i Ronaldos pretendon se përzgjedhësi portugez bëri të kundërtën në paraqitjen e tij publike, gjë që e irritoi kapitenin e Portugalisë.
“Përkundrazi, Cristiano mendoi se Jorge tha gjëra që nuk ishin të vërteta dhe u përpoq të tregonte publikisht se ai ishte në kontroll dhe se Cristiano ishte ‘thjesht një lojtar tjetër’”, ka deklaruar Aguirre.
Sipas tij, kjo situatë e ka bërë Ronaldon të ndihet i tradhtuar nga trajneri.
“Kjo e zemëroi Cristianon. Cristiano ndihet i tradhtuar. Jorge i kërkoi falje privatisht, i premtoi se do të bënte të njëjtën gjë publikisht dhe më pas bëri të kundërtën”, ka vazhduar ai.
Në fund, Aguirre pretendon se pikërisht kjo e shtyu Ronaldon të merrte vendimin për t’u larguar nga grumbullimi i Portugalisë.
“Prandaj Cristiano vendosi: po shkoj në shtëpi. Për të, kjo është një tradhti”, përfundoi Aguirre./Telegrafi/