Rritja e çmimeve të karburanteve po rëndon gjithnjë e më shumë mbi punëtorët me paga të ulëta në Evropë. Në Bullgari, mbushja e një rezervuari 50-litërsh me naftë tashmë kushton ekuivalentin e 15.4% të pagës minimale mujore bruto, krahasuar me 9.9% para përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Në skajin tjetër është Luksemburgu, ku një rezervuar i njëjtë me naftë përfaqëson vetëm 3.8% të pagës minimale mujore, transmeton Telegrafi.
Çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm që nga përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme dhe bllokimi efektiv i Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore globale për transportin e naftës.
Sipas të dhënave të EU Weekly Oil Bulletin, çmimi mesatar i naftës në BE u rrit me rreth 40% ndërmjet 23 shkurtit dhe 21 shtatorit 2026.
Më 23 shkurt, një litër benzinë Euro 95 kushtonte mesatarisht 1.637 euro, ndërsa nafta 1.594 euro. Deri më 21 shtator, çmimet u rritën përkatësisht në 2.092 dhe 2.226 euro për litër.
Kjo do të thotë se benzina u shtrenjtua me 27.8%, ndërsa nafta me 39.6%.
Dallimet mes vendeve janë të mëdha. Për benzinën, një rezervuar 50-litërsh kërkonte më 21 shtator vetëm 3.3% të pagës minimale në Luksemburg, ndërsa në Bullgari arrinte në 13.4%.
Mbi 10% ishte edhe në Letoni, Turqi, Rumani, Greqi, Çeki, Estoni dhe Sllovaki.
Për naftën, diferenca ishte edhe më e madhe: nga 3.8% në Luksemburg në 15.4% në Bullgari.
Në disa prej vendeve të tjera, shifra arrinte në 13.9% në Letoni, 13.8% në Turqi, 12.7% në Rumani, 11.2% në Çeki dhe Estoni, 10.8% në Hungari, 10.4% në Greqi dhe 10.3% në Portugali.
Ndër ekonomitë e mëdha evropiane, Gjermania ishte ndër vendet ku barra ishte më e ulët, me rreth 5.2% të pagës minimale për një rezervuar 50-litërsh me naftë.
Në Irlandë kjo shifër ishte 4.3%, në Belgjikë 5.3%, ndërsa në Holandë 5.5%.
Ekspertët e sindikatave theksojnë se familjet me të ardhura të ulëta preken më shumë nga rritja e karburanteve, pasi një pjesë më e madhe e pagës së tyre shkon për shpenzime bazë si ushqimi, banimi dhe transporti.
Në Bullgari, për shembull, një punëtor me pagë minimale mund të blejë rreth 324 litra naftë me pagën e tij mujore. Në Luksemburg, i njëjti punëtor mund të blejë rreth 1,311 litra.
Edhe krahasuar me shkurtin, barra është rritur ndjeshëm. Në Bullgari, pjesa e pagës minimale që nevojitet për një rezervuar me naftë u rrit me 5.5 pikë përqindjeje, ndërsa në Turqi me 5.3 pikë.
Letonia, Çekia dhe Estonia gjithashtu regjistruan rritje prej më shumë se tre pikë përqindjeje.
Esther Lynch, sekretare e përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Sindikatave, paralajmëroi se për disa punëtorë situata mund të bëhet aq e rëndë sa të detyrohen të heqin dorë nga vendet e punës, veçanërisht në zonat ku transporti publik është i kufizuar.
Kjo, sipas saj, mund të krijojë probleme edhe për kompanitë që tashmë përballen me mungesë të fuqisë punëtore.
Në përgjithësi, të dhënat tregojnë një hendek të madh mes vendeve të Evropës Perëndimore dhe atyre të Evropës Qendrore e Lindore: sa më e ulët paga minimale, aq më e madhe është pjesa e saj që punëtori duhet të shpenzojë vetëm për të mbushur rezervuarin. /Telegrafi/