Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka pritur në Izrael Yanivin, pasagjerin që ndihmoi në neutralizimin e një personi që dyshohet se tentoi të merrte kontrollin e aeroplanit në fluturimin Dubai–Tel Aviv.
Aeroplani kreu një ulje emergjente në Arabinë Saudite të mërkurën, ndërsa dhjetëra pasagjerë izraelitë u kthyen më vonë në vend me një aeroplan tjetër.
Netanyahu e cilësoi Yanivin si hero, duke i thënë “është thjesht e pabesueshme ajo që bëre”, shkruan bbc.
Yaniv tregoi se pasi hyri në kabinë, e pa personin e dyshuar mbi instrumentet e aeroplanit. Sipas tij, njëri prej pilotëve ishte i rrëzuar, ndërsa tjetri ishte larguar nga vendi i tij.
“E kapa sulmuesin, e vura në mbërthim dhe e tërhoqa jashtë”, tha ai, duke shtuar se më pas u bëri thirrje pasagjerëve të tjerë për ta mbajtur të neutralizuar.
Ai tha se personi po përpiqej të dëmtonte instrumentet e aeroplanit me qëllim çaktivizimin e tij. Yaniv gjithashtu tregoi se ndërhyri në komandat e aeroplanit për ta ndihmuar atë të nivelizohej.
Kur Netanyahu e pyeti se si dinte të vepronte me komandat, Yaniv u përgjigj “unë shikoj ‘Air Crash Investigation’, zoti kryeministër”.
Një tjetër pasagjer, Zvika Meness, tha se ai dhe dy persona të tjerë e lidhën të dyshuarin me lidhëse plastike dhe kufje.
Ndërkohë, një pasagjer tjetër tregoi se incidenti zgjati rreth pesë minuta, por iu duk “si ferr”. Ai tha se kishte dëgjuar thirrjen “Allahu Akbar” para se aeroplani të fillonte të humbiste lartësi, pa specifikuar se kush e kishte bërë thirrjen. /Telegrafi/